E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH, 50 milionë euro për rrugët e fshatit

Financimi Marrëveshja me ministrin e Financave. Projekti për 500 km

Pas negociatave të zhvilluara një muaj më parë në selinë e BERZH-it në Londër, Ministria e Financave firmosi dje në Tiranë kredinë 50 milionë dollarë. Shuma do të shkojë për rrugët rurale dhe dytësore për shkak se gjysma e popullsisë në Shqipëri është e përqendruar në zonat rurale, ku pjesa më e madhe punon në sektorin e bujqësisë. “Gjendja e keqe e rrugëve rurale në vend po vështirëson zhvillimin e sektorit privat në qytetet e vogla dhe fshatra, duke limituar konkurrencën e kompanive bujqësore”, ishte një nga argumentet e BERZH, pas miratimit të marrëveshjes.

Shuma e siguruar nga huaja e BERZH-it do të përdoret për të financuar rehabilitimin e 500 km të rrjetit rrugor në zonat rurale të Shqipërisë. Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të sigurojë një hua në të njëjtën shumë për të bashkëfinancuar projektin. Gjithashtu, projekti do të mbështetet nga një grant prej 33 milionë eurosh nga Komisioni Europian në kuadër të programit IPA 2010/2011 dhe një grant shtesë prej 4 milionë euro për asistencë teknike nga Western Balkans Investment Framework (WBIF).

“Ky projekt ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë. Përmirësimi i infrastrukturës së transportit në zonat rurale do të lehtësojë hyrjen e popullsisë në tregjet ekonomike dhe shërbimet kryesore, rritjen e konkurrencës së kompanive lokale dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në qytetet e vogla dhe fshatra”, tha Sue Barrett, Drejtoreshë e BERZH-it për transportin.

“Ne jemi të kënaqur që vazhdojmë bashkëpunimin tonë me BERZH-in për modernizimin e infrastrukturës së transportit në Shqipëri. Financimi i siguruar nën drejtimin e BERZH-it do të mbështesë punime të rëndësishme për rehabilitimin e rrugëve sekondare dhe lokale, duke afruar më shumë popullsinë në zonat rurale me tregjet dhe shërbimet”, u shpreh Ridvan Bode, ministër i Financave i Shqipërisë.

Investimi është pjesë e një programi më të gjerë kombëtar për rehabilitimin e 1500 km rrjeti rrugor rajonal dhe lokal, i financuar paralelisht nga Banka Botërore, Fondi i OPEC, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës dhe financues të tjerë të mundshëm.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›