Psikolog për Maturën Shtetërore
Për herë të parë në Maturën Shtetërore 2010 në komisionet përkatëse të ngritura nëpër shkollat e mesme për të menaxhuar këtë proces do të marrë pjesë edhe një psikolog. çdo shkollë e mesme që prej disa vitesh tashmë ka në stafin e saj edhe një person që ka përfunduar studimet në fushën e psikologjisë. E përveçse ky psikolog tenton që gjatë vitit shkollor të njihet personalisht me profilin e çdo nxënësi, është parë e arsyeshme që ai të jetë pjesë edhe e komisionit të Maturës Shkollore. Kjo është bërë me qëllimin për t’ju ardhur në ndihmë maturantëve në drejtimin psikologjik. Kjo bëhet në një kohë kur procesi i Maturës Shtetërore dhe katër provimet përmbyllëse konsiderohen si një presion shumë i formë psikologjik për të rinjtë. Ky shkaktohet jo në pak raste nga vetë ankthi i prindërve, të cilët në një mënyrë apo një tjetër e shkarkojnë atë te fëmijët e tyre maturantë. Por një rëndim psikologjik i tyre mund të ndodhë edhe prej vetë egos së gjithsecilit, që përveçse përmbyll vitet e gjimnazit, garon edhe për në auditorët universitarë.
KonsultimetNë të gjitha shkollat e mesme në vend, si në gjimnaze ashtu edhe në të mesmet profesionale, kanë filluar edhe orët e konsultimeve me nxënësit maturantë. Këto orë shtesë të mësuesve ishin edhe në qendër të një urdhri të nxjerrë pak kohë më parë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Tashmë në lëndët e Matematikës dhe të Letërsisë që janë edhe dy provimet e detyruara përmbyllëse të maturës, të rinjtë kanë nisur konsultimet mbi bazë të programeve lëndore. Këto të fundit janë bërë publike nga MASH-i edhe në faqen zyrtare të internetit, por gjithashtu ato janë dërguar nëpër të gjitha shkollat, përmes drejtorive arsimore dhe zyrave arsimore rajonale.
FormulariNga ana tjetër, të gjithë maturantët e këtij viti, por edhe ata që duan t’i hyjnë përsëri garës për në universitet janë duke plotësuar formularin A1 dhe atë A1-Z. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore të këtij viti, publikuar pak kohë më parë nga Ministria e Arsimit, 10 marsi është caktuar si afati i fundit kur maturantët duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe pa gabime Formularin A1. Ky dokument u krijon mundësinë atyre që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore. Ky formular që prej fillimit të kësaj jave ka nisur t’u shpërndahet të rinjve në të gjitha shkollat e vendit. Ndërkohë që rregullorja e maturës saktëson gjithashtu se në fund të muajit mars do të afishohen të gjitha listat e maturantëve të këtij viti shkollor, por edhe të kandidatëve të tjerë për në universitet që kanë mbaruar të mesmen gjatë viteve të mëparshme, por tashmë dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces.
Këtë vit ndryshe nga më parë, të gjitha provimet ato të detyruara dhe të lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen brenda muajit qershor duke i krijuar kështu mundësi të rinjve që të marrin rezultatet e tyre përpara se të plotësojnë Formularin A2, ku do të shënojnë edhe dhjetë preferencat e tyre për studimet e larta. Por duke pasur të gjitha elementet e maturës, pra të pesë notat e marra, përfshirë këtu edhe mesataren, së bashku me koeficientet, secili nga kandidatët mund të bëjë llogaritë e tij se çfarë mundësish ka për të fituar një degë në universitet. Kjo konsiderohet si një lehtësi shumë e madhe nga ana e drejtuesve të shkollave për nxënësit e tyre. Në muajin korrik MASH ka premtuar se do të ketë gati Formularin A2.
#