E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Vlorës i pushon çështjen, reagon kreu i prokurorisë

Berat Xhemat Saliaj e quan të paligjshëm vendimin e gjykatës për lirimin e gjashtë të akuzuarve për vjedhje. “Provat tona bindëse”

Një vendim i Gjykatës së Apelit të Vlorës ka sjellë sërish reagimin e kreut të organit të akuzës së Beratit. Pushimi i çështjes dhe lënie e lirë për gjashtë të akuzuar për vjedhjen e naftës bruto është konsideruar si një vendim i marrë në kundërshtim me ligjin nga prokurori i rrethit të Beratit, Xhemal Saliaj. Vendimi i dhënë në fund të vitit 2009, i mbërritur disa javë më parë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Berat, ka bërë me dije se është pushuar çështja ndaj gjashtë të akuzuarve për vjedhjen e naftës bruto nga linja përcjellëse e Kuçovës drejt Ballshit. Për pasojë: Viktor Tashi, dënuar nga Gjykata e Rrethit të Beratit me një vit e gjashtë muaj burg, Luftar Dosti, dënuar me nëntë muaj burg, Arben Semini, dënuar me nëntë muaj burg dhe Altin Rama dënuar me nëntë muaj burg me akuzën “vjedhje e mbetur në tentativë”, janë lënë të lirë. Në këtë grup u përfshinë edhe Përparim Protoduari e Ferdinant Sefa, punonjës të Repartit të Naftës në Kuçovë, të cilët u cilësuan fajtorë nga Gjykata e Beratit me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim, duke shpërdoruar detyrën”. Por, ndonëse të gjashtë të akuzuarit u shpallën fajtor nga Gjykata e Beratit dhe morën dënimet në lidhje me akuzat, ka qenë Gjykata e Apelit në Vlorë ajo që ka vendosur pushimin e çështjes me pretendimin se provat e faktet që lidhen me veprën penale nuk shërbejnë për fajësimin e të dyshuarve. Sipas Apelit të Vlorës, faktet që lidhen me akuzën e kësaj çështje nuk janë prova, por ngelen dyshime dhe nuk vërtetojnë akuzën.

Reagimi

Në lidhje me rrëzimin e kësaj çështje, kreu i organit të akuzës në Berat, Xhemal Saliaj, është shprehur se: “Ky vendim është ndërmarrë në kundërshtim me ligjin, por dhe nëse do ta pranonim asnjëherë kjo çështje nuk do të rrëzohej, pasi Kodit Penal me nr. 142 parashikon sigurimin e mjeteve për vjedhje, që do të thotë kapur në flagrancë dhe nëse do të pranohej vendimi, provat janë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›