BERZH 6 milionë euro për minierat
BERZH do të japë 6 milionë euro kredi për sektorin e minierave në vend. Kjo kredi do t’i jepet kompanisë “Tirex” për eksplorimin e rajonit të Mirditës. “Tirex” është një nga kompanitë e para private të minierave për eksplorim në Shqipëri. Rajoni i Mirditës ka 17 vende rezervash të zbuluara më parë, që përmbajnë një shumëllojshmëri metalesh ku përfshihen bakri, zinku, ari dhe argjendi. “Në investimin e saj të parë në sektorin e burimeve natyrore në Shqipëri, BERZH synon të sigurojë një investim në sektorin privat, që sjell standardet më të larta të teknologjisë në industrinë e nxjerrjes së mineraleve në një vend, që ka parë investime të limituara cilësore në dhjetëvjeçarin e fundit. Mbështetja e BERZH do ta ndihmojë kompaninë të marrë aksione shtesë, ose financime kredie për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit duke kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të sektorit”, tha Daniel Berg, drejtor i zyrës së BERZH në Tiranë.