E Diel, 1 Nëntor 2026

Pulla postare nga vizita e Bushit në Shqipëri

 

Pulla që pasqyrojnë momente historike për Shqipërinë si vizita e presidentit Bush, ftesa e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, apo pavarësia e Kosovës. Pas 17 vitesh, Posta Shqiptare ka emetuar sërish pullat kombëtare. Por jo vetëm kaq. Mbushen plot 86 vite në shërbim të klientëve. Dje në ditën ndërkombëtare të këtij institucioni kudo në botë Posta Shqiptare prezantoi arritjet dhe sfidat për të ardhmen. Gjithçka në një ceremoni të mirorganizuar. “Viti që po kalojmë dhe ai që na pret janë vite të projekteve dhe ambicieve të mëdha për Postën Shqiptare. Në sportelet tona ofrohen një numër mjaft i madh shërbimesh financiare. Së bashku me kudo ndodhjen e zyrave tona postare, Posta Shqiptare është në prag të implementimit të sistemit bankar brenda Postës Shqiptare (PostBanka)”, u shpreh dje gjatë takimit Arqile Gorea, drejtori i  Përgjithshëm i Postës Shqiptare. Ai nënvizoi se harmonizimi i këtyre 2 lloj shërbimeve, atij postar dhe atij financiar së bashku me konceptin e Post shopeve, ka sjellë universalizmin e zyrave postare. “Pra, qytetari do të gjejë në ambientet e Postës Shqiptare një supermarket shërbimesh”, tha Gorea. Sipas drejtorit, në tre vitet e fundit janë rritur me 58.6 për qind të ardhurat, ndërsa fitimi mbi 5 herë. “Ne ndjehemi mirë që Shqipëria, për herë të parë u bë me Kod Postar(Zip Kod), ne ecim në rrugën e integrimit evropian. Jemi prezentë në të gjithë territorin e vendit me 550 zyra postare me 2150 punonjës të  inkuadruar në 16 filiale dhe 19 degë. Ulëm kohën e shpërndarjes së letrave nga 7 ditë në dy ditë dhe për qytetin e Tiranës brenda ditës”, nënvizoi kreu i Postës. Drejtori theksoi se një tjetër arritje është heqja e radhëve të gjata të qytetarëve nga sportelet, për legalizimin e dokumenteve në Ministrinë e Jashtme, për dorëzimin e dokumenteve të hipotekës në shtëpi, për dëshmitë e penalitetit, për gjobat e Policisë Rrugore. “Posta Shqiptare është e angazhuar në një reformim të thellë të strukturave të saj. Ne, me vizion të qartë, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare, dhe të integruar plotësisht në objektivat e UPU-së, do të përballojmë sfidat e së ardhmes në zhvillimin e tregut postar”, tha Gorea.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›