E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha firmos marrëveshjen, Gjermania jep 120 milionë euro

 

Qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë 120 milionë euro. Gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Berisha në Gjermani, u nënshkruan dy marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë e Gjermanisë dhe midis Shqipërisë dhe bankës shtetërore gjermane për rindërtim, KfV. Kjo shumë do të përdoret në projekte të zhvillimit të vendit, si në rrjetin e kanalizimeve të zonës Korçë–Pogradec dhe të Qarkut të Shkodrës, në projekte për rrjetin jugor energjetik, në infrastrukturën energjetike, si projekti i interkonjeksionit energjetik me Kosovën, si dhe në projekte të tjera. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria po ndërmerr reforma të thella në ekonomi dhe në sistemin fiskal, si dhe një luftë të fuqishme kundër korrupsionit, në mënyrë që vendi ynë të ketë një klimë sa më të favorshme për investimet gjermane dhe ato të huaja në përgjithësi. “Presidenti për Evropën i Grupit Bankar KfV, Roland Siller, vlerësoi reformat dhe progresin e ekonomisë, duke u shprehur kënaqësinë që nënshkrimi po bëhet në 20-vjetorin e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim midis Gjermanisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. “Presidenti për Evropën i Grupit Bankar KfV-së shprehu bindjen se ky fond prej 30 milionë eurosh së bashku me fondin prej 90 milionë eurosh që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë për projekte në infrastrukturën energjetike dhe linjat e interkonjeksionit me Kosovën, do të sjellin edhe më shumë  ndryshim, zhvillim, punësim dhe ide në Shqipërinë mike”, vijon më tej njoftimi për shtyp. Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Berisha u takua edhe me sekretarin parlamentar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë, Hartmut Schauerte. Kreu i qeverisë theksoi në këtë takim se nuk ka vend tjetër që të ketë ndryshuar si Shqipëria dhe në këtë transformim rrënjësor, Gjermania, me solidaritetin dhe ndihmën e saj, ka një kontribut tejet të rëndësishëm. “Schauerte u shpreh se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe ato ekonomike mjaft të mira, por që duhen të intensifikohen, duke u nisur nga fakti se Shqipëria ka potenciale të mëdha në shumë fusha”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›