OSBE rrëzon Topallin: Ligji i medias me konsensus
OSBE-ja rrëzon projektligjin e hartuar nga Drejtoria Juridike e Kuvendit për Median dhe atë të hartuar në muajin korrik, duke kërkuar arritjen e një konsensusi politik për këtë çështje. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Miklos Haraszti, në një deklaratë zyrtare bëri dje thirrje për konsultime të gjera rreth projektligjit të medias në Shqipëri. Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Haraszti mirëpriti vendimin e autoriteteve shqiptare për të shtyrë miratimin e ligjit të ri për “Radion dhe Televizionin”, si dhe i kërkoi Qeverisë të mundësojë konsultime të gjera e transparente me të gjithë aktorët kryesorë. “Mirëpres faktin që Kryetarja e Kuvendit dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shtynë miratimin e ligjit dhe bënë thirrje për konsultime të mëtejshme. Drafti nuk siguron pavarësinë e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, si dhe të Radio-Televizionit Shqiptar. Gjithashtu, ai nuk zgjidh problemet që ekzistojnë në ligjin aktual, të cilat janë vënë në pah në rekomandimet e mëparshme të zyrës sime, si dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Këto probleme kanë mbetur të pandryshuara në projektligjin e ri. Si pasojë, ky projektligj nuk përmbush rekomandimet përkatëse të OSBE-së”, deklaroi Haraszti. Po ashtu, ai kërkoi nga aktorët përgjegjës të rinisin punën për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për televizionin dixhital, në këshillim dhe bashkëpunim, duke përfshirë në këtë proces edhe mediat dhe shoqatat e mediave. “Tani Shqipëria ka mundësinë të përmirësojë defektet në rregullimin e mediave dhe të mos i mbartë ato në tablonë e re të medias dixhitale”, shtoi Haraszti. Ai, gjithashtu, ofroi ekspertizën e zyrës së tij për të ndihmuar autoritetet shqiptare në hartimin e ligjit të ri.