E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Ekonomia shqiptare, rënie në 2009

Ekonomitë e vendeve ku vepron Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjatë 2009 do të ngadalësohen ndjeshëm për shkak të krizës globale financiare. Kjo do të thotë se Shqipëria dhe vendet e rajonit të Ballkanit do të pësojnë ulje në ritmin e rritjes ekonomike. Raporti shqetësues mbi ndikimin ndjeshëm në krizë globale në rajon publikohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për Shqipërinë parashikohet që ritmet e rritjes ekonomike nga 6 për qind që është aktualisht të bjerë në 5 për qind. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH-it, deklaron se “Shqipëria po vazhdon të ketë progres të mirë në disa fusha, por nevojiten shumë përpjekje për të përmirësuar klimën e biznesit dhe të rritet cilësia e infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen me ritme të larta të viteve të fundit. Raporti i tranzicionit i BERZH për 2008 parashikon që në përgjithësi vendet ku vepron kjo bankë, rritja ekonomike do të ulet nga 6.3 % që është aktualisht në 3% në 2009. Në një kapitull të veçantë mbi ndikimin e krizës globale të kredive në rajon, raporti thotë se përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishëm të tregut të kredive. Raporti thotë se ka faktorë të ndryshëm që mund të ndihmojnë rajonin për të parandaluar këtë skenar pesimist. Këtu përmendet rënia e nivelit të borxheve të qeverive që nga viti 2000, duke i dhënë më shumë fleksibilitet politikave qeveritare. Zyrtarët e BERZH-it shprehin shqetësimin se ngadalësimi i ritmeve ekonomike do të zbusë kërcënimin e inflacionit, ndërsa stabiliteti i sistemit bankar duhet të kthehet në prioritet të të gjitha qeverive të rajonit. Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH-it, shprehet se “mosndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës ishte tregues për arritjen e reformave, por tani rajoni i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë oreksi për rrezik, si dhe me recension në ekonomitë kryesore, do të provojë qëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion”.

Bode: Do vazhdohen reformat për menaxhimin e shpenzimeve publike

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar dje se qeveria shqiptare do të vazhdojë reformat për përmirësimin e menaxhimit të shpenzimeve të financave publike. Këtë deklaratë, ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka bërë dje gjatë ceremonisë së mbylljes së fazës së tretë të projektit 3-vjeçar të DIFID-it (Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Britanisë) "Përmirësimi i menaxhimit të financave publike". “Pjesë kryesore të këtij projekti kanë qenë implementimi i procedurave të reja të përgatitjes së buxhetit, të cilat ndryshuan filozofinë e buxhetimit, nga një buxhet me bazë imputesh në një buxhet që bazohet mbi autpute, pra mbi performancën", -- nënvizoi Bode.

Ndërkohë, drejtori i projektit të DIFID, Martin Johnson, u shpreh se nëpërmjet këtij projekti qeveria ka kaluar nga procesi i planifikimit të buxhetit, që përqendrohej vetëm në kërkesat për financime të operacioneve të qeverisë, në një sistem modern të menaxhimit të shpenzimeve publike.

Shqipëria kryeson Dhomat e Tregtisë të Ballkanit, Zhilla kandidon për president

Në Stamboll (Turqi) duke nisur që sot do të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e ABC-së, (Shoqata e Dhomave të Tregtisë të Ballkanit). Në këtë mbledhje, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë pritet të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme. Samiti Ekonomik i Ballkanit, pjesë e takimit të krerëve të Dhomave të Tregtisë të rajonit tonë, do të diskutojë fillimisht mbi problemet e mjedisit dhe të zhvillimeve ekonomike në rajon, investimet e pritshme për ruajtjen dhe sigurimin e mjedisit etj. Në këtë samit do të përshëndesin përfaqësues të qeverive nga të gjitha vendet e Ballkanit, si dhe drejtues të Dhomave Kombëtare të Tregtisë. Në takimin e 26-27 nëntorit, zoti Ilir Zhilla, kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, aktualisht zv.president i ABC-së, kandidon për të qenë në krye të Dhomave Kombëtare të Tregtisë të Ballkanit. Përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë do të ofrojnë në këtë takim edhe tematikën e mbledhjeve dhe veprimtarive të ABC për vitin 2009; shumica e këtyre veprimtarive, do të zhvillohen në Shqipëri. I pyetur për këtë zhvillim, kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Ilir Zhilla, u shpreh: “Fakti që liderët e Dhomave të Ballkanit, ia besojnë Shqipërisë kryesimin e ABC-së për vitin 2009, është një tregues i përmirësimit real të imazhit të vendit tonë, si dhe i vlerësimit të performancës së re të Dhomave të Tregtisë e Industrisë në shërbim të sipërmarrjes. Klima inkurajuese që është krijuar në Shqipëri për biznesin vendas dhe atë të huaj, bashkëpunimi konstruktiv i Dhomave të Tregtisë me administratën, kanë rritur dukshëm besimin e homologëve tanë dhe të organizmave prestigjioze tek sipërmarrja shqiptare dhe Dhomat e Tregtisë e të Industrisë”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›