Shqipëria ngashënjyese e Kadaresë
Kadaresë, ndër të tjera, i detyrohemi për dy gjëra: futjen e Shqipërisë në hartën kulturore të botës dhe, më e rëndësishmja, krijimin e hartës së saj shpirtërore. Kjo e fundit shpjegohet me atë Shqipërinë ngashënjyese që ka trilluar shkrimtari; njëfarë entiteti fizikisht i pakapshëm, por shpirtërisht i kuptueshëm dhe paqtues. Dy elementët më të ndriçuar të kësaj Shqipërie paralele të fermentuar nga Kadareja janë qyteti dhe femra. Brenda qytetit të Kadaresë nuk ka zhurma bubulluese dhe drita vezulluese, çka do ta bënin atë shkrimtar metropoli. Ai është nga ata autorë (në mos i vetmi!) urbania e të cilit është e hajthme, elegante, e mezidukshme e, megjithatë, aq e fortë sa, pasi ke lënë mënjanë një libër të tij, të kap dëshira e beftë për ta vizituar këtë vend, edhe pse e di se ai nuk ekziston. Ky vend është, siç do të thoshte vetë autori, në Askundnajë. Nëse duam që kësaj bote paralele të Kadaresë t’i zbulojmë edhe dobinë utilitare përveç përkorës artistike, na duhet të kuptojmë se arti i madh, duke na pasuruar, na bën njëkohësisht edhe njerëz më të mirë. Seç kemi një dëshirë për të buzëqeshur më shumë, për t’u hapur rrugë të tjerëve, për të gjetur bukurinë edhe brenda realiteteve të shëmtuara. Mrekullisht, kjo gjendje transi e cila ngërthen në vetvete artin dhe njeriun e mirë, shpërhapet edhe më për të krijuar atë që quhet qytetërim. Pavarësisht ndonjë dëshire romantiko-kombëtariste, qytetet e njëmendta shqiptare kurrë nuk kanë mundur që në zinxhir të jenë pjesë e atij që do mund ta quanim qytetërimi shqiptar. Honi që gjendet mes 25 viteve të rezistencës së shqiptarëve nën Skënderbeun deri tek mbretërimi i Zogut është shumë i gjerë për të ndërtuar një urë mbi të cilën mund të shtrish asfaltin e një qytetërimi. Gjatë 50 viteve të sundimit komunist rruga e përshkruar ka qenë e kundërt me të gjitha shenjat e qytetërimit. Katër atentatet e mëdha: shkatërrimi i klasës së pasur e të mesme, ndalimi i fesë, aleancat e panatyrshme dhe mbyllja e vendit arritën ta deshpirtëzojnë qytetin dhe ta pamundësojnë qytetërimin. Por, çdo mallkim i madh shoqërohet edhe me një bekim dhe ky duket se ishte Ismail Kadareja. Shkrimtari me anë të penës e fiction-it duke e përbuzur (pu)shtetin vendosi të ngrinte burgjet, kodin, kështjellat, shërbimin sekret, darkat, dashuritë, shiun, kurthet, mërzinë, kishën për të na dhënë kështu qytetërimin e tij që ishte njëherësh qytetërimi i shqiptarëve. Mu në zemër të kësaj ngrehine ngashënjyese Kadareja kalli femrën.
Gruaja në veprën e Kadaresë është një midisëse e madhe; ajo nuk është e ngazëllyera e soc-realizmit dhe as the metropolitan whore e imagjinatës moderne. Kjo nuk do të thotë se shkrimtari ngurron të na e paraqesë seksin si një ndër shenjat kryesore që na shpjegon femrën. E, prapë, seksi në veprën e Kadaresë është pothuajse mungues. Ai ka shpikur Anat dhe Suzanat mbi kurmet e të cilave errësimi i ëmbël i pubisit shkëlqimin prore humb. Nuk mungojnë edhe Doruntinat, të cilat, përmes shiut të përhershëm, bartin atë pikëllimin e vëllait që vonon apo burrit që lufton nëntë male larg. Në daç, ti mund të ndalesh edhe përballë pasqyrës së një gruaje ku Kadareja të sugjeron të shohësh gruan tek kurva dhe jo e kundërta.
Të gjitha këto ndodhin, përherë e pashmangshëm, përmes një shiu që e përshkon letërsinë e Kadaresë si lumi Lete botën e përtejme.
Është e debatueshme se sa simbolika ndikon në formimin e kombit, por në librat e Kadaresë, shiu si element kundërshtues e ka bërë këtë. Shiu si metaforë, shiu si trans, shiu si rrethanë apo shiu si rebelim. Kjo, sidomos në letërsinë e para ‘90-ës në kundërvënie me frymën dhe artin soc-realist të kohës. Kush i kujton tregimet, poemat apo romanet me fshatarë, punëtorë, intelektualë e heronj vazhdimisht të lumtur, përgjithnjë të qeshur, pafundësisht optimistë do të mund ta kapë këtë element dhe ta kuptojë dobinë e tij. The dark heroes e veprave të Kadaresë me trishtimet, rrënimet, përmbysjet, fitoret, në një mënyrë a në një tjetër, i kanë ndihmuar shqiptarët të ndërtojnë brenda vetes ato kundërthënie pa të cilat shpirti i një individi vdes nga pak e përditë. A kanë nevojë themelet e çdo kombi për një format a polen shpirtëror? Sigurisht që po. Nëse për ta bërë më të kapshme gjithë këtëu kthehemi krahasimeve, do ishte e pranueshme ta përqasnim letërsinë soc-realiste shqiptare me ato uzinat buçitëse të qyteteve shtinjake industriale. Brenda kësaj (duke qenë më shumë jashtë, sigurisht) vepra e Kadaresë është si pema në oborr, vajza e bukur që punon në zyrën e administratës, lëfyti i ujit që rrjedh nga koka e një dhie skënderbease. Librat e Kadaresë janë si ngashërimet; ato na i lejojnë sytë të lagen dhe prapëseprapë na e ruajnë burrërinë. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë përmasë të letërsisë kadareane; trishtimin, shiun, vetminë. Kjo përmasë na ka lejuar ta kuptojmë letërsinë, ta lexojmë atë dhe ta nënvizojmë. Kjo përmasë na ka lejuar atë dritën në sy me të cilën mëngjesin pasardhës kemi dalë në rrugë, jemi përshëndetur dhe e kemi dashur jetën.