E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Rritja ekonomike 5 për qind

 

Fabiola Çela

Rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë 5 për qind. Ky është përfundimi i nxjerrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Shkak për ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit është kriza financiare ndërkombëtare që ka prekur shumë vende të globit. Në këtë mënyrë edhe shifra e publikuar nga ndërkombëtarët e BERZH-it nuk përputhet më atë të qeverisë shqiptare, e cila insiston se rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë 6 për qind. Ndërkohë sipas FMN-së rritja ekonomike do të jetë 3.5 për qind, ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë rritja ekonomikë vitin e ardhshëm do të jetë nga 4 deri në 4.5 për qind.
Raporti
Në raportin e saj më të fundit mbi tranzicionin, BERZH-i analizon performancën ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku ajo vepron. Rritja në Shqipëri pritet të arrijë 6.1 për qind në vitin 2008 nga 6 për qind në vitin 2007 dhe të bjerë në 5 për qind në vitin 2009. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH që mbulon Evropën Juglindore, u shpreh se "Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten edhe më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritur cilësinë e infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen me ritme të larta të viteve të fundit". Raporti i Tranzicionit thotë se ekziston një rrezik, që rritja ekonomike në rajon në vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët, nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. "Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korrente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm, nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt", citohet në raport.

Rritja ekonomike

BERZH

5 për qind në 2009
6.1 për qind në 2008
6 për qind në 2007

FMN

3.5 për qind në 2009
6 për qind në 2008

Qeveria

6 për qind në 2009
6 për qind në 2008

Banka e Shqipërisë

4-4.5 për qind në 2009
6 për qind në 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›