Fullani: Kriza ka dhënë efektet e para
Edhe pse e pakonturuar mirë, kriza financiare ndërkombëtare ka nisur të japë efektet e saj të para në vend. Përballë një situate të tillë, qeveria duhet të marrë masat e duhura për të rritur prodhimin vendas. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë kreu i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, gjatë forumit të parë ekonomik organizuar nga Dhoma e Tregtisë. Por nga ana tjetër ai ka garantuar edhe një herë se sistemi bankar në vend është i shëndetshëm dhe se efekti domino i krizës ndërkombëtare është përballuar në mënyrë të kënaqshme. "Kriza edhe pse ende e pakonturuar na i ka dhënë leksionet e para dhe bizneset duhen t'i vlerësojnë këto mësime për të ardhmen, sot ka ardhur koha që Shqipëria të prodhojë më shumë të mira se më parë, bujqësia ka ende hendek, ka më shumë nevojë për orientim dhe rregullim", ka deklaruar ai. Madje, sipas tij muajt e fundit vitit dhe muajt e parë të vitit të ardhshëm do të jenë një periudhë e vështirë. Tejkalimi i krizës botërore do të kërkojë kohën e vet. "Prioritet për në është zbatimi i masave që do të zvogëlonin këto efekte. Sfida jonë është mbajtja e qëndrueshmërisë së aktivitetit ekonomik në vend, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në këtë sfidë", ka thënë Fullani. Në një situatë të tillë guvernatori ka sugjeruar, që të shohim të ardhmen nga një optikë më realiste. Guvernatori solli në vëmendje rolin e shtetit si në zhvillimin e ekonomisë në tërësi edhe të biznesit privat në veçanti. "Roli i shtetit duhet të shtohet më tepër, për përfundimin e një sërë reformash, që kanë të bëjnë me titujt e tokave të bujqësisë", theksoi Fullani. Ndërkohë sipas kreut të qeverisë Berisha, Shqipëria është nga më të paktat ekonomi në Evropë aktualisht me një rritje dyshifrore. "Nuk përjashtoj mundësinë që dhe ne të prekemi, por nuk përjashtoj mundësinë që të bëhemi një vend përthithës për investimet. Askund në botë nuk është më mirë të investosh se sa aty ku ka ngritje ekonomike. Ndaj dhe po punojmë për antikrizën dhe masat më të shkëlqyera antikrizë, në konceptin tim, janë krijimi i klimës sa më të favorshme për veprimtarinë tuaj, por për tërheqjen e investimeve, për aktivitetin e biznesit në Shqipëri", ka deklaruar dje Kryeministri Berisha. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Dhomës së Tregtisë Gjok Uldedaj, tha se "Forcimi i tipologjisë "bio" për një gamë prodhimi agrobujqësor, çka do të favorizonte mbështetjen e sektorit agropërpunues, do të ishin vetëm disa nga hapat e sugjeruar të një grupi politikash nxitëse, që shteti duhet të përvijojë në mbështetjen e tij ndaj sektorit prodhues vendas".