E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009, vetëm 4 për qind



“Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2009 do të jetë vetëm 4 për qind”. Kjo shifër është dhënë nga drejtori i Zyrës Ekonomike të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim në Tiranë, Daniel Berg, i cili, në një intervistë për të përjavshmen “Monitor”, ka shpjeguar edhe efektet e krizës në vendin tonë. Kjo shifër parashikohet të ulet dukshëm gjatë këtij viti si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e lëkundjeve në tregjet financiare. Për ekonominë shqiptare, përfaqësuesit e BERZH-it sugjerojnë më shumë përpjekje për të përmirësuar klimën e biznesit dhe infrastrukturën. Berg thotë se ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2008 ka qenë shumë e mirë, pavarësisht një mjedisi të jashtëm jo të favorshëm. Rritja ekonomike vazhdoi të jetë e lartë dhe mbeti në rrugën e duhur për të arritur 6 për qind e mbështetur nga vazhdimësia e kërkesës së fortë në vend dhe arritjet e mira veçanërisht në sektorët e ndërtimit, shërbimeve (turizmi) dhe infrastrukturës. Ai pohon se rritja në vitin 2009 do të jetë rreth 4-5 për qind nëse axhenda e reformës strukturore do të vazhdojë më tej me ritme të larta dhe nëse vazhdon procesi i integrimit në Bashkimin Europian. “Qeveria duhet të zbatojë një politikë fiskale shumë konservative në 2009-n, për shkak të rritjes së pasigurisë të shkaktuar nga kriza financiare botërore”, - thotë drejtori Ekonomik i BERZH-it në vendin tonë. Sipas tij, stabiliteti politik, mbështetja e vazhdueshme nga jashtë dhe zbatimi i suksesshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Shoqërimit me BE-në janë faktorë të tjerë që ndikojnë në situatën ekonomike. Në përgjithësi, një rritje prej 4 për qind ose më shumë gjatë këtij viti do të konsiderohet një sukses në situatën aktuale dhe BERZH-i do të vazhdojë të punojë me autoritetet qeveritare dhe sektorin privat për të ruajtur momentin ekonomik në një mjedis të jashtëm shumë më të vështirë. Pak ditë më parë, përfaqësuesi i BERZH-it për Ballkanin tha se gjatë vitit 2009 do të ketë rreth 800 milionë euro investime nga kjo bankë në projekte të ndryshme në rajon. Këto fonde, ku pjesa më e madhe janë kredi për sektorët e energjetikës dhe infrastrukturës, pritet të ndikojnë sadopak në zbutjen e krizës financiare që po kalon bota.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›