Aplikimi, anët pozitive të paraqitjes së kërkesës
Dy pjesëmarrësit e forumit të sotëm, të organizuar në gazetën “Albania”, Dorarta Hyseni dhe Olsi Baze, janë të mendimit që paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Europian ka anët e veta pozitive. Sipas Hysenit, e cila drejton programin europian pranë Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, “një hap dhe angazhim i tillë do të vërë strukturat shtetërore, qeverinë, por edhe politikën, në një realitet të ri përgjegjësish”. Ndërsa pedagogu Baze e motivon një gjë të tillë me vlerat që ka treguar Shqipëria në skenën e politikës rajonale. Por Baze e shikon më gjerë kontekstin e zgjerimit si një proces që tashmë po ngec në Bruksel dhe kjo po ndodh falë lidhjes së strukturave të Bashkimit Europian përmes pranimit të anëtarëve të rinj.
Dy specialistët e politikave të integrimit, Hyseni dhe Baze, pohojnë se kapacitetet ekzistojnë për të zbatuar procesin e anëtarësimit, por Baze thekson domosdoshmërinë e reformave që duhet të ndërmerren brenda Ministrisë së Integrimit. Ndërsa ekspertja e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare thotë se duhet të merren të rinjtë shqiptarë që kanë studiuar nëpër universitetet perëndimore dhe të angazhohen në këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
30 Janar 2009