Raporti i KOF-it: “Shqipëria renditet e 103-ta në indeksin e globalizimit ekonomik”
ZYRIH - Shqipëria renditet në vendin e 103-të sipas indeksit të globalizimit për vitin 2009, të shpallur nga instituti zviceran për ekonomi “KOF”. Sipas një raporti të bërë nga Instituti prestigjioz me selinë e tij në Zyrih të Zvicrës, i njohur tradicionalisht në hulumtimet e tij ekonomike, vendi ynë renditet i fundit në rajon për nga zhvillimi ekonomik dhe atë e lënë pas shtete si Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia. Raporti, që vlerëson shkallën e globalizimit ekonomik, shoqëror dhe politik të shteteve të globit, ka marrë në konsideratë edhe zhvillimin ekonomiko-social të vendit tonë. Në listën e përbërë prej 156 shtetesh, të përfshira në këtë hulumtim, Shqipëria renditet shumë vende larg shteteve të tjera të rajonit. Në kuadër të rajonit të Europës Juglindore, shkallën më të lartë të indeksit të globalizimit e ka Sllovenia që gjendet në vendin e 20-të, Kroacia në vendin e 25-të, Bullgaria në vendin e 39-të, Bosnje-Hercegovina në vendin e 43-të, Maqedonia në vendin e 89-të dhe Shqipëria në vendin e 103-të. Edhe këtë vit, kryeson Belgjika duke qenë para Holandës, Austrisë, Irlandës dhe Suedisë. Në fund të listës së këtij hulumtimi janë Bangladeshi, Nepali, Sudani dhe Taxhikistani. Me globalizim ekonomik nënkuptohet qarkullimi i parave, kapitalit dhe transaksioneve, shpërndarja e ideve, informacioneve dhe interaksioni mes njerëzve nga vende të ndryshme.
30 Janar 2009