E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohet pas një mbledhjeje sekretari i Partisë Socialiste në Korçë



Korçë - Sekretari i Partisë Socialiste në Korçë ka denoncuar dje në policinë rajonale se është keqtrajtuar fizikisht dhe ka bërë njohjen e autorit të ngjarjes, një 37-vjeçar, i cili është ndaluar nën dyshimet për “goditjen për shkak të detyrës”. Burime nga vendngjarja thanë për gazetën se gjithçka ka ndodhur pas mbledhjes së një organizate socialiste në Voskopojë të rrethit të Korçës. Sekretari i PS-së për Korçën, Muharrem Meko, i ka treguar policisë në denoncimin e tij se ka shkuar si i deleguar i kryesisë së kësaj partie për të marrë pjesë në një mbledhje të një organizate socialiste. Meko tha se pak pasi përfundoi mbledhja, 37-vjeçari Arjan Zaçellari e ka sulmuar duke e goditur dhunshëm në trup dhe fytyrë. Në momentet e dhunës, në vendngjarje, sipas denoncuesit, kanë qenë edhe anëtarët e mbledhjes së zhvilluar, të cilët u përpoqën të shmangin precipitimin e dhunës. Drejtuesi vendor socialist ka përfunduar në spitalin rajonal për të marrë ndihmën mjekësore. I dëmtuari i tha policisë se ai ishte i habitur nga sulmi fizik, duke theksuar se nuk kishte pasur më parë asnjë konflikt apo hapësira të mundshme provokimi për nxitje dhune. Ndërkohë, policia, pas hetimeve mbi denoncimin, konfirmoi arrestimin e 37-vjeçarit Arjan Zaçellari, banor i fshatit Gjonomadh të Korçës. Por për ta vënë në pranga policia tha se iu desh ndjekja e personit, pasi ai ishte fshehur në pyjet e Voskopojës, në përpjekje për t’i shpëtuar prangosjes së mundshme. Ndaj tij tashmë rëndon akuza e “goditjes për shkak të detyrës”. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dje pasdite dega e PS-së në Korçë, e cila e ka vlerësuar ngjarjen si të paprecedentë në prag të nisjes së parafushatës elektorale, duke evidentuar se Arjan Zaçellari e ka goditur dhe fyer për faktin se ai ishte socialist. Policia po heton më tej mbi ngjarjen.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›