Aplikimi për anëtarësim rrit përgjegjësinë e qeverisë dhe politikës
Flet Dorarta Hyseni, drejtoreshë e Programit Europian pranë Institutit të Studimeve Ndërkombëtare
A i plotëson standardet Shqipëria për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Mendoj se qeveria shqiptare duhet të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Argumentet kryesore në favor të këtij veprimi janë mbështetja popullore e politike për anëtarësim në BE dhe efektet që një angazhim i tillë do të kishte në sjelljen e brendshme politike, institucionale e shoqërore në përgjithësi dhe në lidhje me këtë proces në veçanti. Së pari, studimet vjetore të Institutit për Studime Ndërkombëtare kanë treguar në mënyrë të përsëritur se shqiptarët mbështesin fuqishëm anëtarësimin në Bashkimin Europian, mbështetje që në vitin 2008 qëndronte në nivelin e 95 % të popullsisë. Ajo që është më e rëndësishme është se studimet tregojnë se shqiptarët, megjithëse kanë një numër keqkuptimesh të dukshme dhe pritshmërish të pabazuara, gjithnjë e më tepër e kuptojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian si një përqafim të vlerave europiane dhe të mënyrës së reflektimit të tyre në organizimet shtetërore, ekonomike e shoqërore në vend, që pastaj do të ishin në shërbim të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Shqipërisë. Pa dyshim, mbështetja e shoqërisë, megjithë rreziqet që mbart në rastet kur është e bazuar në pritshmëri jorealiste, është një faktor shumë i fuqishëm ndaj debatit politik dhe ndërmarrjes së reformave shpeshherë të kushtueshme në kuadrin afatshkurtër.
Megjithëse anëtarësimi në BE, në retorikën e brendshme politike shpesh kthehet në një mall apo premtim elektoral të formës gjithçka apo asgjë dhe nuk trajtohet si një proces gradual zhvillimi dhe përafrimi pasi i tillë është në të vërtetë, kemi arsye të besojmë se anëtarësimi në BE ka edhe një mbështetje më të qenësishme në politikën shqiptare. Kjo është dëshmuar në rritjen e gatishmërisë dhe përpjekjeve për dialog e bashkëpunim ndërmjet forcave politike kur është bërë fjalë për reforma kyçe për vendin, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me progresin në rrugën e integrimit në strukturat europiane apo euroatlantike, në rastin e NATO-s.
Por avantazh edhe më i madh i aplikimit për anëtarësim në BE janë mundësitë që ky angazhim krijon për proceset e institucionet në vend. Ato përfshijnë materializimin e një debati substancial mbi procesin; matjen e përparimit në kohë; rritjen e transparencës e llogaridhënies; si dhe rritjen e pronësisë lokale të synimit për anëtarësim. Aplikimi për anëtarësim është një procedurë që kërkon matjen e realitetit, caktimin e objektivave specifike të matshme si dhe vendosjen e tyre në kohë. Së bashku me rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional që procesi mbart, këto faktorë krijojnë shanse dhe një infrastrukturë shumë të mirë për kthimin e debatit për integrimin europian nga një debat disi të përgjithshëm politik, në një debat të qenësishëm mbi zgjedhjet dhe hapat që duhen ndërmarrë. Njëkohësisht, një zotim i tillë rrit përgjegjësinë dhe llogaridhënien e qeverive dhe, në rastin më të afërt, përgjegjësinë e kësaj qeverie për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme si një konfirmim të zgjedhjes së vlerave europiane dhe përkatësisë ndaj këtyre vlerave. Së fundi, por jo për nga rëndësia, ky angazhim do të dëshmonte pronësi lokale dhe vendosmëri të autoriteteve shqiptare si ndaj BE-së ashtu edhe ndaj aktorëve brenda vendit. Përballë BE-së, Shqipëria duhet të dëshmojë se i përket zgjedhjeve europiane dhe se është e vendosur të vazhdojë përafrimin me to. Në planin lokal, ky zotim do të tregonte se integrimi në BE është një proces kombëtar, që nuk i përket as vetëm një mandati qeveritar e as vetëm sferës së ngushtë të debatit publik të sotëm.
A ka shteti shqiptar dhe Ministria e Integrimit në veçanti kapacitetet për të materializuar, negociuar e monitoruar këtë proces?
Kapacitetet ekzistojnë. Ato gjithashtu detyrimisht duhet të të rriten e të specializohen. Rritja e prekshmërisë, substancës e pronësisë së procesit është një shtysë më tepër për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe uljes së mëtejshme të militantizmit politik në administratë. Gjithnjë e më shumë shqiptarë po specializohen në studime europiane dhe ky kapacitet duhet tërhequr e shfrytëzuar në mënyrë optimale dhe pa politizim. Gjithashtu, me këtë hap, do të krijohej edhe një mundësi e mirë për afrimin e angazhimin e shoqërisë civile në këtë proces, në modelin e vendeve europiane. Institutet kërkimore, tashmë me eksperiencë në këtë fushë, mund të japin një kontribut të vlefshëm në politikë ndërkohë që organizatat më afër bazës shoqërore mund të luajnë më së miri rolin e informuesit dhe urës së dialogut me shoqërinë e gjerë.
30 Janar 2009