E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse duhen shkarkuar drejtuesit e televizionit publik

Nga Mero Baze

Radiotelevizioni Publik Shqiptar ka thyer të gjitha rekordet dhe standardet që mund të bëjnë të pranueshme një media publike. Nga një vëzhgim i javëve të fundit, ky stacion dominohet nga edicione lajmesh pa asnjë vlerë gazetareske, që flasin për aktivitetin ditor dhe gati dhe për aktivitetin biologjik të kryeministrit. Menyja ditore që ofron ky ekran është pak a shumë e njëjta gjë çdo ditë. Tetë kronika rresht për veprimtarinë e kryeministrit, ku zakonisht përfshihet dhe një telegram falënderimi. Rasti që unë pashë ishte nga India, për të cilin ishte bërë një speciale e veçantë. Kjo i kishte mjaftuar “gazetares” si rast për të futur në kronikë dhe portretin e ministrit të Jashtëm, i cili paskësh qenë në Indi para ca kohësh. Ky banalitet vazhdon më tej, duke u shoqëruar me dy kronika të kryetares së Kuvendit, njëra zakonisht kundër kancerit të qafës së mitrës, ku merr pjesë dhe zonja Berisha, dhe tjetra për pjesëmarrjen e gruas në politikë apo diplomacinë parlamentare, ku nuk merr pjesë zonja Bregu. Por ajka e emisioneve të lajmeve mbeten sulmet ndaj institucioneve të shtetit, zakonisht me kombinim, një kundër presidentit, një kundër kryeprokurores, kur e teprojnë dhe kundër të dyve, dhe pastaj me radhë kundër KLD, gjykatave, prokurorëve të thjeshtë etj. Ka raste që japin dhe lajme për opozitën, por presin njëherë të dalë Gerti Bogdani për të folur.

Ky është një bilanc i turpshëm. Në asnjë kohë, në asnjë rrethanë, dhe atëherë kur RTVSH e kanë fyer dhe mallkuar si kobure e Sali Berishës, nuk ka qenë në këtë nivel. Ndryshimi i vetëm është se sot, media elektronike private është shumë e zhvilluar dhe nuk ndjehet nevoja e kanalit publik. Por kjo nuk do të thotë që ata të denigrojnë qytetarët shqiptarë dhe të dhunojnë hapësirën publike për shkak të interesave politike të klanit të kryeministrit në pushtet.

Problemi i dytë që lidhet me keq-menaxhimin e RTVSH është stafi i tij. Drejtori i këtij institucioni, një ish-punonjës i TV “Klan”-it, e ka kthyer këtë institucion në aneks të një televizioni privat. Mbaj mend, kur u emërua, që unë dhe dy anëtarë të Këshillit Drejtues votuam kundër tij. Votimi u përsërit dy herë dhe të dy herët ai nuk fitoi. Por, një anëtar i opozitës në Këshill ishte mbështetësi i tij më i madh për shkak të disa pazareve personale dhe u detyruam të bëjmë pazar për të vazhduar procesin duke zgjedhur një drejtues banal, me votën këmbëngulëse të opozitës dhe Aleksandër Frangajt. Tashmë, Petrit Beci i ka shitur interesat publike të RTVSH për bizneset e televizioneve private. Kështu, RTVSH ka të drejtat ekskluzive për transmetimin e Kampionatit Botëror dhe atij Evropian, por, nëse i besojmë reklamave të paketës Supersport, këto kampionate i janë shitur prej RTVSH kanaleve private. Kjo është një fyerje ndaj interesit publik të shikuesve dhe natyrisht një korrupsion i qartë i drejtuesve të këtij stacioni. Të njëjtën gjë këta drejtues bënë dhe me Lojërat Olimpike dhe nuk është çudi që nesër kjo situatë të degradojë dhe me Festivalin e Këngës dhe pjesëmarrjen e tij në Eurovision, ku në vend të fituesit të RTVSH të shkojë fituesi i Këngës Magjike në TV “Klan”.

Problemi i tretë, i cili është dhe më i rëndë, qëndron me statusin që i është caktuar prej pushtetit të kryeministrit RTVSH. Shihet qartë se servisi qendror i qeverisë është grupi mediatik “Klan”. Ai ka ekskluzivitetin për t’u futur në zona të ndaluara ushtarake, ka ekskluzivitete kufomash dhe të arrestuarish, ekskluzivitete fitoresh dhe spotesh, por kurrë ekskluzivitet lajmesh që nuk varen nga qeveria. Por, gjërat banale TV “Klan” ia kalon për transmetim RTVSH, siç shkarkohen ujërat e zeza të një grope septike. Ky ekran po përdoret në mënyrë bastarde për të njollosur institucionet dhe për t’i sulmuar ato. Aty ka komente të papranueshme dhe për gazetat private, kundër presidentit dhe kryeprokurores. Aty gjen provokime të dënueshme kundër institucioneve të shtetit shqiptar që nuk i ka nën kontroll kryeministri. Aty gjen komente kundër KLD apo prokurorëve që duhet të shantazhohen për interesa të kryeministrit. Aty çështja Fazlliç p.sh., nuk u përmend kurrë, derisa u thirr vetë Fazlliçi si triumfator që u largua fshehurazi nën kujdesin e policisë. Djegia e makinës sime nuk u përmend kurrë, derisa doli Sali Berisha dhe më mallkoi mua, në vend të atij që dogji makinën. Pra, mes të tjerash TV “Klan” po e përdor RTVSH si kanal për të derdhur ujërat e zeza që i bëjnë dëm biznesit mediatik të pronarëve të TV “Klan”-it. Dhe, duke u përdorur si gropë e ujërave të zeza, natyrisht që ky ekran po ndot atmosferën politike në Shqipëri, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe po i bën një atentat real lirisë së medias në vend. Gjëja e duhur që duhet të bëjë opozita është aksioni politik për shkarkimin e drejtuesve aktualë dhe riformatimin e Këshillit Drejtues. Me këtë dhunë televizive nga operatori publik është e patolerueshme të hysh në një fushatë zgjedhore, ku duhet të forcohet klima e besimit te zgjedhjet. Opozita duhet të provojë, derisa të kushtëzojë me këtë dhe reformat për procesin zgjedhor, i cili nuk mund të nisë dhe të mbarojë me një media të tillë publike, që është shembulli më i keq për gjithë medien shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›