Sherri për Familjet e Mëdha; kërkohet dorëheqje për Tunxhin e pronave dhe Flamurin
Antena brenda familjes
Kanë mbërritur dje reagimet e para të forta pranë Flamurit për listën e Familjeve të Mëdha. Sikur të mos i mjaftonte reagimi i atij burrit, një tufë e madhe njerëzish, që ai s’ua mban mend as emrin, kërkojnë të futen te lista e re që ai do të bëjë. Shumica e pranojnë fillimin e listës me atë burrin dhe ato vendet bosh nga pas, po pastaj fillon lufta.
Ferdinand Poni, që nuk lë t’i ikë rasti për t’u ankuar, thotë se kriter nuk duhet të jetë vetëm paraja, por dhe karakteristika të tjera që i bëjnë njerëzit të veçantë, si aroma apo pesha. Sa e pa emrin e tij, e hodhi poshtë letrën.
- Ky është idiot, tha me vete. Po futa këtë në listë, më boshatiset e gjitha, kush e duron këtë afër.
Një letër tjetër kërkonte shkarkimin urgjent të Tunxh Vatnikës. Letra e akuzonte Tunxhin se ka vonuar procedurat e njohjes së pronave dhe, po qe se ai do kishte vepruar më shpejt, ai tani do ishte Familje e Madhe. Këtu s’e kuptonte tamam kush ishte, se nuk e thoshte mbiemrin, por thoshte jemi familje e madhe me fëmijë shumë. Edhe këtë ankesë e hodhi poshtë.
Kur fare papritur i shfaqet përpara letra e Qukapit. Ajo ishte kërcënuese:
“E para, të kërkoj të japësh dorëheqjen urgjent nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Forumit Rinor të PD”, - fillonte letra. “Ke kaluar moshën 35 vjeç, je dhe nga Kukësi dhe je akoma Sekretar i Përgjithshëm i Forumit. Bë urgjent letrat që jam unë në këtë detyrë dhe se ti ke ikur dy vjet më parë, me qëllim që pas dy javësh të kërkoj ngritje në detyrë dhe të konkurroj për kryetar. E dyta, emri im pas Shkëlzenit duhet të ishte patjetër te Familjet e Mëdha, se e kam dhe mbiemrin me emër qyteti. Unë dhe Shkëlzeni jemi rritur bashkë dhe bashkë i kemi bërë gjithë punët. Shoferin që çuam në ambasadë në Romë na e kapën me drogë, por unë e bëra detyrën time. Si shef Interpoli që më ka ngarkuar Zeni, unë e fsheha emrin tri ditë dhe nuk e nxora. Për gjithë këto arsye, por dhe të tjera që s’i them dot, kërkoj të jem i pesti në listë. Mbiemri im është Kruja. Jam nga qyteti i Skënderbeut. Jam shok i Zenit. Më ka frikë gjithë PD. ǒmë pengon mua të mos jem Familje e Madhe? I pesti dua dhe pikë. Po deshe më vë të gjashtin, pa e shikon ku shkon.”
Flamuri e lexoi letrën i tronditur.
- Këta qenkan të çmendur të gjithë, tha. U ka hipur të gjithëve të kërkojnë dorëheqje sot. Njëri i kërkon dorëheqje Tunxhit, tjetri mua, njëri drejtorit të TVSH. Allah, allah, mos i shkon njeriut në mendje i kërkon dorëheqjen dhe atij burrit dhe hajt ta mbash atë pastaj. E vë përpara me ç’të ketë, fis e familje e biznes.
E hodhi poshtë dhe letrën e Qukapit. Trazoi zarfet, kur iu shfaq para letra e Aldo Bumçit. Dhe ky b… ç’dashka, tha. Pa prit çfarë argumentesh ka.
Aldo e kishte shkurt: “Më ka thënë doktori që do jem dhe unë tek ajo lista”, - shkruante. “Më tha: Do dalësh kandidat nga zona e Besnik Mustafajt.” Mua më keni në dispozicion për se të doni. Në daç për Familje të Mëdha, në daç për Familje të Mesme, në daç për ministër, në çdo ministri, në daç për kryetar dege. Ku të ketë nevojë ai burri. Nga familja ime nuk dua të flas, por sa për demokrat, nuk du të mburrem, por vjehrri im ka qenë demokrat i parë në Peshkopi dhe pastaj ministër i Mbrojtjes.”
- Sa budalla, tha Flamuri me vete. Dhe këtë t’i kujtoj atij burrit se i ka thënë nja dy herë Hamza Kastriotit që ka tradhtuar nga fusha e betejës. Por s’di gjë ky, e gënjen gruaja. E hodhi poshtë dhe letrën e Aldos. Pastaj vazhdonin një tufë letrash pafund që s’i kujtonin gjë. Ndali te një letër nga Gjirokastra. Ata kërkonin shpallje të Rulatëve si Familje e Madhe. Argumenti ishte se “në Libohovë, “bejlerët që i kanë pirë gjakun popullit” nuk e kishin lejuar familjen Ruli të ngrinte kokë. Partia dhe Kadri Hazbiu i hapën dyert, por tani ata ndjehen gati për të qenë Familje e Madhe.”
Letra vinte në dispozicion dhe informacione për pasurinë që nuk ishte e vogël dhe e krahasueshme me të atij burrit. E la mënjanë dhe këtë Flamuri. Në fund ishte një letër nga familja Nishani. E kishte shkruar e shoqja, se Bujari ishte sëmurë nga dora. Dhe ajo përmendte emrin e familjes dhe Omer Nishanin. I lutej Flamurit ta merrte në konsideratë dhe si koincidencë mbiemrin, se s’kishte ndërmend të sqaronte se ç’lidhje kishte me Nishanin e shkuar. “E rëndësishme është që s’mund të ketë listë Familjesh të Mëdha pa një nishan në ballë”, - mbyllej letra.
Flamurit iu trash koka.
- Sa budalla jam dhe unë, tha. Vras mendjen kush do hyjë në listë. Të hyjë o kush të dojë, mjafton që të mos nxehet ai burri. Dhe s’ka pse nxehet, se të gjithë i plotësojnë kriteret, kanë më pak lekë se ai dhe më pak merita. Kështu që lista në rregull është.