E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, sulm KLD-së: Dua Brocin kryetar të Tiranës

Nga Bledar Lumani

Kryetari i gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë, Albert Meçe, ka dhënë dorëheqjen. Por zëvendësimi i tij ka shkaktuar probleme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në tekstin e dorëheqjes Meçe ka rekomanduar dhe zëvendësin e tij, pikërisht Artan Brocin. Kryeministri, Sali Berisha, ka lobuar që në krye të kësaj gjykate të vijë Artan Broci, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga KLD, e cila ka shpallur procedurën e konkurrimit për zëvendësimin e tij.

“Ndër pikat e rendit të ditës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklaroi mbarimin e mandatit të kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, Albert Meçe, shpalljen e vendit vakant dhe fillimin e procedurës së konkurrimit për këtë funksion drejtues.

Deri në emërimin e kryetarit të ri të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Këshilli vendosi që ky funksion të vazhdojë të ushtrohet nga z. Albert Meçe. Në vlerësimin si më të përshtatshëm të këtij qëndrimi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mban parasysh:

Së pari: eksperiencën e deritanishme të gjyqtarit Meçe në drejtimin e gjykatës së Tiranës, për shkak të dinamikës së lartë të punës dhe problematikat e vazhdueshme që ngrihen pranë dy dhomave të gjykimit.

Së dyti: hapjen rrugë konkurrimit në këtë funksion drejtues në pozita plotësisht të barabarta për të gjithë gjyqtarët që duan të kandidojnë dhe të paraprirë nga delegimi i ndonjërit prej tyre”, - thuhet në njoftimin e KLD.

Së fundi gjykata e Tiranës është përfshirë në polemika, sidomos me prokurorinë, për sa i përket vendimeve që ka dhënë, që kanë qenë në favor të qeveritarëve dhe miqve të tyre që hetohen për afera korruptive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›