E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia mund të shpërbëhet si shtet

Nga Spiros Pajiataqis, “Kathimerini”

Unë dhe Marina shkëmbyem vështrime dyshuese. Këta ishin pasardhësit e famshëm të ushtarëve të Aleksandrit të Madh, çuditeshim ne, të cilët mbetën në thellësitë e Azisë dhe që nuk mundën ta ndiqnin gjeneralin e madh në pushtimet e tij të reja?

Pak vite më parë ne vizituam kalashët, një grup etnik hindush në vargmalin Kush, që jetojnë në qarkun Chitral, në zonën kufitare në veri-perëndim të Pakistanit.

Marina Karagatsi, një arkeologe me përvojë, nuk u besoi shenjave që pa – dhe më bindi në lidhje me mosbesimin e saj. Megjithëse ekzistonin ca copëza të shpërndara “faktesh”, pretendimi për lidhje direkte me Ushtarin e Madh nuk është konfirmuar kurrë në mënyrë shkencore. Sidoqoftë, në Greqi ka ende disa grupe që këmbëngulin se kalashët ndihmojnë për “çështjen maqedonase”. Si? Nuk e di.

Gjatë Festivalit të Filmit Dokumentar në Selanik, u shfaq një film i Nikos Vezirgiannis për kalashët, i cili linte shumë pak vend për dyshim që “këta” ishin fëmijët e vërtetë të ushtrisë maqedonase.

Disa vite të shkuara, në 2005, një tjetër film, këtë herë nga një gazetar udhëtimesh me qendër në Shkup, Marina Dojcinovska, i titulluar “Hunza” na shfaqi specie të tjera të pasardhësve maqedonas.

Sipas versionit të vetë atyre, këta njerëz me lëkurë të verdhë dhe sy të kaltër, që jetojnë në rrëzë të Himalajave, kanë ndjekur pemën e familjeve së tyre, e cila i ka çuar te trupat e këmbësorisë së Aleksandrit, që mbërritën në Pakistanin verior 23 shekuj më parë.

Qartësisht shumë më mirë të organizuar se kalashët, banorët e Luginës Hunza ruajnë ende një pallat mbretëror dhe një princ, Ghazanfar Ali Khan, i cili para disa muajsh u ftua të vizitonte vendin e paraardhësve të tij – Shkupi, me sa duket – bashkë me bashkëshorten, princeshën Rani Atiqa.

Në aeroportin “Aleksandri i Madh” të Maqedonisë në muajin korrik, ky delegacion tejet i pazakonshëm, u prit nga kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe u bekua nga kryepeshkopi ortodoks “maqedonas”.

Por jo të gjithë i pritën me të njëjtin entuziazëm. Buzëqeshjet sarkastike dhe kritikat e forta brenda vendit e injoruan vizitën e të ftuarve nga Hunza si populizëm të pacipë. Më e rëndësishmja, pas talljeve në gazetat vendase, Agjencia e Rinisë dhe Sporteve anuloi daljen e planifikuar të vitit në sheshin kryesor të Shkupit. Duke mitologjizuar kulturën e saj, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është përpjekur të rritë legjitimitetin e saj ndërkombëtar. Dhe kjo nuk është e vetmja gjë që ka bërë qeveria e sotme, pavarësisht “fakteve” historike tejet të diskutueshme se Aleksandri i Madh është stërgjyshi i shtetit të sotëm. Kohët e fundit, zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku, i tha televizionit lokal “Alfa” se autostrada kryesore e vendit, që nis në veri me Serbinë dhe mbaron në jug te kufiri grek, do të quhet “Aleksandri i Maqedonisë”, si pjesë e korridorit 10.

Edhe më, Duraku shtoi se stadiumi i futbollit në Shkup do të riemërtohet “Arena Filipi i Dytë”, sipas babait të Aleksandrit. I njëjti emër u zgjodh për aeroportin e planifikuar për mallra pranë qyteti Stip, në Maqedoninë qendrore.

Themeluesi i Maqedonisë së sotme, ish-presidenti Kiro Gligorov, tha: “Ne jemi sllavë që kemi ardhur në këtë rajon në shekullin e gjashtë... nuk jemi pasardhës të maqedonasve të lashtë” (Foreign Broadcast Information Service Daily Report, Eastern Europe, February 26, 1992, p. 35).

Gligorov deklaroi gjithashtu: “Ne jemi maqedonas, por sllavo-maqedonas. Këta jemi! Ne s’kemi lidhje me Aleksandrin e Madh dhe Maqedoninë e tij... Paraardhësit tanë erdhën këtu në shekullin e pestë dhe të gjashtë.” (Toronto Star, March 15, 1992).

Citime të tilla ka plot. Më 22 janar 1999, ambasadori i Maqedonisë në SHBA, Ljubica Achevska, mbajti një fjalim për situatën e tanishme në Ballkan. Në përgjigje të pyetjeve të saj në fund të fjalimit, zonja Achevska deklaroi: “Ne nuk pretendojmë të jemi pasardhësit e Aleksandrit të Madh... Greqia është partneri i dytë tregtar më i madh i Maqedonisë dhe investitori i saj më i madh. Në vend të luftës, ne kemi zgjedhur ndërmjetësimin e OKB, me bisedime në nivel ambasadorësh me ndërmjetës z. Vance dhe z. Nimetz. Në përgjigje të një tjetër pyetjeje për origjinën e popullit të Maqedonisë së sotme, ambasadorja deklaroi me realizëm se “ne jemi sllavë dhe flasim një gjuhë sllave”.

Megjithatë, duke ndjerë rrezikun nga të gjitha anët, patriotët maqedonas janë bërë më kokëfortë për identitetin, duke e quajtur veten “pasardhës të Aleksandrit”, megjithëse pushtuesi i lashtë nuk kishte fëmijë të deklaruar.

Javën e kaluar, kryeministri grek Kostas Karamanlis, duke folur në parlament, e ngriti retorikën në lidhje me këtë çështje. Në një mesazh me fjalë të forta për Shkupin, ai e bëri fare të qartë që rruga e Maqedonisë drejt BE dhe NATO-s do të jetë e bllokuar, po qe se nuk arrihet marrëveshje për emrin – një emër me cilësorë gjeografikë. Ky ishte si një ultimatum për Shkupin.

Megjithatë, pavarësisht armiqësisë në lidhje me akronimin e çuditshëm, biznesi mes fqinjëve vazhdon të lulëzojë. Biznese të mëdha greke janë dominuese në naftë, banka, telekom dhe ndërtim në Maqedoni.

Mëmëdheu helen është shfaqur si investitori kryesor në Maqedoni, me investime direkte afër një miliard euro gjatë dekadës së fundit. Rreth 300 kompani greke kanë punësuar rreth 20 mijë persona në Maqedoni, ndërsa tregtia mes dy vendeve u rrit me 15 për qind vitin e kaluar në të dy vendet, me balancë dypalëshe në favor të Greqisë me rreth 140 milionë euro.

Megjithatë, që të fitojë një investim 50 milionë euro për infrastrukturë, fqinji ynë duhet të heqë dorë nga sjellja konfrontuese.

“Le të jemi të qartë: për sa kohë që kultivohet klima e provokimit, nacionalizmit dhe mos-tolerancës, nuk do të disbursohet asnjë euro e vetme”, - tha Karamanlis në parlament.

Maqedonia, e cila shpreson të anëtarësohet në BE, do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe lokale më 22 mars, zgjedhjet e katërta që prej pavarësisë në vitin 1991.

Ndërkohë, kur të gjithë i kanë sytë te presidenti Obama, Shkupi tregoi qëllimin e tij të mirë duke dërguar 150 trupa në Afganistan.

Për të huajt, kundërshtimi grek për emrin është vështirë të kuptohet, mirëpo, po të përballemi me problemin në mënyrë cinike, mosmarrëveshja mund të marrë fund me gëlltitjen e Maqedonisë nga fqinjët e saj. Të paktën kjo ishte pikëpamja e shprehur nga Antonis Samaras në një intervistë, mars 2008, për televizionin shtetëror grek (ERT) – e ri-transmetuar disa ditë më parë, para se ai të caktohej ministër kohët e fundit.

“Koha është në favorin tonë”, - tha Samaras. “Besoj se Shkupi nuk do të mbijetojë si shtet i vetëm dhe Greqia nuk ka pse trembet nga krijimi i Shqipërisë apo Bullgarisë së Madhe.” Kushedi, ndoshta na presin surpriza spektakolare.

* Titulli është redaksional

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›