BERZH me president te ri

Zgjidhet drejtori i ri Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për herë të parë në krye të këtij institucioni zgjidhet një anglez. Pas largimit nga ky post pas dy mandateve të gjermanit Tomas Miroë, në krye të BERZH për katër vitet e ardhshme do të jetë Suma Chakrabarti, drejtues i lartë në ministrinë e Drejtësisë britanike. Gjatë takimit vjetor të organizuar në Londër bordi i guvernatorëve të BERZH ka zgjedhur presidentin e ri të kësaj banke mes pesë kandidaturave në garë. Ndërkohë sipas raportit më të fundit të BERZH parashikohet që vendet në zhvillim të Europës për këtë vit do të kenë një ngadalësim të rritjes ekonomike e ndikuar kjo nga kriza që po karakterizon Eurozonën. Kryesisht vendet e Europës Juglindore pritet të rriten me ritme edhe më të ngadalta, prej 1.0% në 2012-n, duke u rimëkëmbur në 2.4% vitin e ardhshëm. Ndërsa asnjë vend i Europës Juglindore nuk pritet të hyjë në recesion, pjesa më e madhe e tyre do të shohin një rritje anemike, duke reflektuar një rënie të madhe në investime në vitet e fundit dhe nivele të ulëta besimi, si pjesë e një reflektimi të lidhjeve të tyre me Greqinë e goditur nga kriza. Sipas raportit të BERZH kanalet e transmetimit të krizës do të jenë eksportet dhe bankat, ku pritet që vendet në tranzicion të kenë më pak financime dhe kredi nga bankat Perëndimore. Gjatë vitit 2011 BERZH ka investuar në total 9,05 miliardë euro mbi 380 projekte, një performancë më e mirë se sa gjatë 2010-ës. Kjo bankë ka miratuar zyrtarisht linja kredie prej 1 miliardë eurosh edhe për vendet e reja demokratike të Mesdheut.