Greket sjellin kursimet ne Shqiperi
Situata e ditëve të fundit mbi krizën ekonomiko -financiare por edhe atë politike në Greqi i ka pasur efekte negative tek qytetarët të cilët kanë humbur besimin pët të ardhmen e tyre në këtë vend. Pas panikut të përhapur gjatë javës për daljen e Greqisë nga monedha euro dhe daljes në qarkullim të monedhës helene dhrahmisë grekët iu drejtuan bankave për të tërhequr kursimet e tyre. Nga ky lajm reaguan edhe emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vendin fqinj, të cilët transferuan depozitat e tyre drejt bankave në Shqipëri. Por zyrtarë të disa bankave të mëdha në vend bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve ka pasur rritje të depozitave në euro jo vetëm nga emigrantët por edhe vet qytetarët grekë të cilët i kanë sjelllë kursimet e tyre në bankat shqiptare. Bankierët presin që efekti i transferimit të kursimeve nga Greqia drejt Shqipërisë të vazhdojë, sidomos pas lajmit se 1.2 miliardë euro depozita janë tërhequr nga bankat në Greqi nga frika e zhvlerësimit të kursimit të tyre, si pasojë e mundësisë së rikthimit të dhrahmia. Që nga fillimi i vitit 2011 deri në fund të marsit 2012, depozitat në valutë në bankat në Shqipëri janë rritur me ritme të shpejta, me rreth 13%. Depozituesit grekë tërhoqën një shumë të vlerësuar prej rreth 1.2 miliardë eurosh nga llogaritë bankare, të hënën dhe martën të trembur nga një dalje e mundshme e vendit nga euro. Zyrtarë të lartë të eurozonës, të përfshirë në monitorimin e sistemit bankar të rajonit, thonë se fluksi i daljes së depozitave nga bankat greke, deri tani është i një shkalle të menaxhueshme dhe nuk ka arsye për panik. Gjatë dy viteve të fundit, fluksi i daljes së depozitave nga Greqia ka qenë mesatarisht 2-3 miliardë euro në muaj, ndërsa në janar ato kulmuan në 5 miliardë euro. Të dhënat e fundit nga banka qendrore e Greqisë tregojnë se totali i depozitave që zotërohen nga vendasit dhe kompanitë arriti në 165.36 miliardë euro në mars.