E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ne tregjet financiare do zgjase edhe per dy vjet

Kriza në tregjet financiare dhe në Eurozonë do të zgjasë jo më shumë se dy vjet. Kështu ka deklaruar ministri gjerman i Financave Schaeuble, në një intervistë për radion franceze Europa 1. Ai ka hedhur poshtë parashikimet e ekspertëve të tjerë se fundi i krizës do të vinte pas pesë vitesh, duke komentuar se do të na duhet të presim edhe një tjetër vit për t’iu rikthyer rritjes në Eurozonë.
Ministri gjerman i Financave ka dhënë shpresa për një zgjidhje të krizës financiare në Eurozonë për jo më shumë se dy vjet. Në një intervistë për radio Europa 1 Wolfgang Schaeuble, ka thënë se fundi i krizës në tregjet financiare dhe në Eurozonë do të zgjasë midis 12 deri në 24 muaj. Duhet të presim fundin e vitit të ardhshëm ka thënë Schaeuble që tregjet të qetësohen dhe t’i jepet fund krizës që ka përfshire ekonominë e Eurozonës. Nuk do të zgjasë kaq shumë, mendoj se situata do të evolojë më shpejt, ka deklaruar kryefinancieri gjerman duke komentuar parashikimet e bëra më parë nga ish homologu i tij francez, Fracois Baroin, i cili kishte përcaktuar si fundin e krizës pesëvjeçarin e ardhshëm. Në lidhje me zhvillimet në Francë ai ka shprehur bindjen se qeveria e re socialiste e saj do të ratifikojë paktin pan europian të kompaktësisë fiskale duke argumentuar se politikë-bërësit janë duke punuar për të krijuar një strategji të rritjes ekonomike ashtu siç është kërkuar nga presidenti Francois Hollande. "Në lidhje me krizën e besimit në eurozonë ne do dëshmojmë qetësimin e tregjeve në një periudhë dy vjeçare, ka thënë ai për radion franceze Europe 1. Ndërsa për Greqinë ai është shprehur se "Politikanët në Greqi duhet të shpjegojnë realitetin për qytetarët dhe të mos bëjnë premtime fallco. Ka shumë politikanë në Greqi që thonë se problemi është tek Europa. Kjo nuk është e vërtetë. Ne duam që Greqia të jetë në eurozonë, por ajo duhet të përmbushë detyrimet e saj dhe ky është një vendim në vullnetin e grekëve ka deklaruar Shoble.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›