BE,gjashtë miliardë euro për masa ndaj ngrohjes globale
Bashkimi Europian do të shpenzojë gjashtë miliardë euro në vit deri më 2020-ën, për të evituar rreziqet nga pasojat e vërshimeve dhe thatësira, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, në qoftë se nuk do të ndërmerren masa parandaluese. Komisioni Europian ka njoftuar se më 19 mars do të paraqesë masat për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjen globale. Thatësia dhe zjarret në male paraqesin rrezikun më të madh për Europën Jugore, Portugalinë, Spanjën, Italinë, Greqinë dhe Francën jugore.
Sipas, KE-së, ngrohja globale do të ketë pasoja gjithashtu edhe në fushën e turizmit tek këto vende. Europa Qendrore do të përballet me temperatura të larta dhe do të ketë më pak shi gjatë verës, ndërkaq vërshimet e ujërave do të shpeshtohen gjatë dimrit. Europa veriperëndimore, Franca perëndimore, Britania e Madhe, Irlanda, Belgjika perëndimore dhe Danimarka përballen me vërshime të shumta në brendësi të territorit të tyre dhe në afërsi të bregdetit, për shkak të ngritjes së nivelit të oqeanit Atlantik.
Vendet anëtare të BE-së kanë miratuar në dhjetor 2008-ës planin e veprimit, me qëllim që ngrohja globale të kufizohet në dy gradë celsius. Përmes këtij plani kërkohet nga shtetet dhe industritë që deri më 2020-ën, të ulin emetimin e gazrave 20 përqind.