E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi:Reduktimi i trupave, në pajtim me ndërtimin e FSK-së

Zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuçi ka deklaruar se reduktimi i trupave të NATO-s duhet të shkojë paralelisht me ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kuçi i bëri këto komente pas paralajmërimeve të komandantit të KFOR-it, Xhuzepe Emilio Gai, për mundësinë e zvogëlimit numrit të ushtarëve të NATO-s në Kosovë. "E keni parë që Kosova ka prodhuar stabilitet, jo vetëm për veten, por edhe për rajonin, por mendojmë se reduktimi i trupave të NATO-s duhet të jetë paralel me ndërtimin e trupave të sigurisë në Kosovë", është shprehur Kuçi. Sipas tij, përfundimi i mandatit të KFOR-it duhet të jetë në përputhje me integrimin e Kosovës në NATO. Kuçi ka thënë se ndaj sfidave të shumta me të cilat përballet Kosova, sfidë kryesore mbetet integrimi i komunitetit serb në institucionet shtetërore. Zëvendëskryeministri kosovar edhe njëherë ftoi serbët e Kosovës që të bashkohen në institucionet demokratike, si dhe të pranojnë realitetin e krijuar. Ai garantoi se të gjithë qytetarët, pa dallim, do të kenë trajtim të barabartë. "Ne përsërisim ftesën për minoritetin serb që të bashkohen në institucione dhe jetën demokratike të vendit tonë, por edhe një herë theksojmë se jemi të vendosur për rend dhe ligj dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës", ka thënë Kuçi gjatë vizitës në Mitrovicë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›