E Shtunë, 31 Tetor 2026

"BIG BROTHER" SI FILOZOFI KURUESE

Fenomeni i formatit televiziv "Big Brother" është zgjeruar në një gjeografi kontinentale dhe i mediatizuar brenda funksionit, shpërfaq sot kontaktin më të gjerë e më të ndjekur të shoqërisë me vetveten, të komunitetit me vetëdijen, me përgjegjësinë dhe detyrimin e vetëkurimit. Për të dytin vit ne jemi pjesë aktive. Në shoqërinë post-tradicionale, një nga tiparet është afirmimi i modeleve publike, që sfidojnë, në një sens pozitiv, autoritetin politik apo financiar, si dhe autoritete të dogmës apo pushtetit.

Një ballafaqim i tillë nuk është konkurrencë përjashtuese, përkundrazi; vetëm në këtë mënyrë ndjehen të gjithëpërfshirë edhe ato shtresa të shoqërisë që janë të margjinalizuara ose të nënvlerësuara, për shkak të indiferencës, moskonsiderimit ose kompleksit inferior që ata kanë si tipar i njeriut empirik. Shpejtësia e komunikimit në momentin e dhënë virtualisht i shpie të gjithë atje, ku nuk kanë qenë ndonjëherë dhe realizon takimin me ata njerëz që, në rrugë të tjera, nuk do kishte qenë kurrsesi e mundur. Të shpërfaqurit publikisht i shndërron ata në persona publikë, jo thjesht mediatikë.

***

Ata që e ideuan këtë format antropo-psikik nuk janë nisur nga fuqia e medias televizive. Prej tyre është zbuluar që marrëdhënia e ndërthurur dhe dinamike në një funksion antropo-mediatik të gjallë e të mbikëqyrur, ndihmon të eksperimentohet jo thjesht mbi ata që ngujohen, por mbi të gjithë shoqërinë. Pra, media jep mundësinë e kontaktit, të mbikëqyrjes, të dëgjimit dhe gjykimit për të gjithë ata që janë jashtë. Banorët e ngujuar detyrohen të seleksionojnë njëri-tjetrin, duke e nominuar si të mundshëm për t‘u larguar nga shtëpia, veçse gjithçka nuk varet prej tyre, por prej publikut.

E kur ndodh që publiku nuk e nxjerr, kjo tregon që shtëpia e "Vëllait të Madh" duhet të ridimensionojë raportet, anëtarët e kësaj familjeje me bazë jo lidhje gjaku, pra të ndryshëm, por të barabartë si të ndryshëm, kanë për detyrë të risocializohen, duke thelluar njohjen, duke iu larguar pasioneve, duke lënë mënjanë interesat e çmimit, si dhe duke kuptuar se ata vetë, gjithsecili do të duhet ta njohë më mirë veten në raport me të tjerët. Në aspektin sociologjik, kjo duhet ravijëzuar si "shoqëria për shoqërinë" (lexo: publiku për banorët).

Duhet mbajtur parasysh se ka një parahistori të të ngujuarve. Ajo është personale, komunitare familjare, institucionale, ëndërrimtare, pasionesh, hobish e dështimesh. Por i gjithë ky "arsenal" që relievizohet në vite jetë, në kontribute dhe realizime, në një farë kuptimi është privat, është personal, njihet dhe dihet nga pak njerëz, si familja, miqtë, shokët në brez e mosha të ndryshme, apo bashkëpunëtorë. Ndërsa nëse pranon të hysh atje, në shtëpinë e rrëfimit 24 orë në 24, ndaj kamerave dhe në një audiencë milionëshe, fillimisht duhet të "dorëzosh privatësinë" dhe duhet të rrëfehesh pa censurë e vetëcensurë, sipas parimit "çdo gjë që thuhet duhet të jetë e vërtetë, por jo çdo e vërtetë mund të thuhet"!

Serioziteti për këtë ekuacion njerëzor-mediatik-shpirtëror është elementi bazik i përgjegjësisë. I fshehur je i humbur dyfish, sepse kurrë nuk mund të jesh fitues në fund; dhe e dyta, humb një rast ndryshimi si vetëndryshim, ku edukatori yt është mendimi demokratik i publikut, që nuk mund të niset nga interesa të ngushta, sepse është i gjerë si numër dhe nuk mund të jetë subjektiv në gjykim, pasi voton individualisht në mënyrën më demokratike në një sistem referendar elektronik shumë të zhvilluar në "Vendet e Ulëta" (atje ku edhe lindi "Big Brother") dhe në ato skandinave.

***

Ecuria e ditëve të ngujimit është një garë për fitues moral, për karakter të qëndrueshëm dhe jo të luhatur, për një marrëdhënie të sinqertë dhe jo hipokrite, për një aftësi socializuese në klimën e Robinsonizmit-kolektiv që rrallohet deri te fituesi, te "Robinsoni" që ka treguar aftësi mbijetese dhe optimizëm ndryshimi përmes vlerave për vete dhe për shoqërinë. Ai shfaqet si modeli i njeriut mesatar (average people), që përbën shumicën e shoqërisë kudo në botë. Misioni i këtij tipi social është rritja e vetëdijes për të ndërtuar dhe kuptuar identitetin dhe vetëndryshimin brenda rregullave civile, qytetare, morale, institucionale, të kulturës së ambientit dhe hapësirës antropologjike të vendit, por dhe në raportet me tregun e në veçanti me paranë.

Në thelb, çfarë ndodh?

Të seleksionuar në një audiencë profesionale, ku marrin pjesë në juri psikologë, antropologë shoqëror, terapistë, futurologë, njerëz të medias, mjekë psikiatër, punonjës socialë etj., kërkohet që nga "oqeani njerëzor" të përzgjidhet një "basen" që vlen si "kampion", mbi të cilin mund të hulumtohet strukturalisht mbi shoqërinë në ecurinë aktuale. Kujdesi është profesional, për të përfshirë të gjitha zonat, pra atë që quhet "antropo-gjeo-jetëhapësira". Përndryshe, uniformiteti, qoftë edhe i një pjese të grupit kufizon hapësirat e komunikimit dhe shkakton monotoni ku humbet thelbi dhe qëllimi i aktivitetit.

Socializimi jashtë diversitetit është njëtrajtshmëri që të largon nga njohja e thellë. Këtë vit, p.sh. në edicionin e dytë të "Big Brother Albania" u korrigjua mangësia e vitit të shkuar, sepse shtrirja është më e gjerë, në një gjeografi hapësinore, antropokulturore dhe etnokulturore. Ndërsa vitin e kaluar, në masë dërrmuese kishte studentë. Gjithsesi, ende ka vend dhe nevojë për ndryshime, sepse anatomia e "kampionit" të përzgjedhur nuk shërben thjesht për të sjellë "tipologji plurale", por njëkohësisht edhe pluralitet të problematikës antropologjike (njerëzore).

Themi antropologjike dhe jo shoqërore, jo për inkosekuencë fjale. Antropoindividi është njeriu në kuptimin jashtë institucioneve, por brenda institucionit të parë ekzistencial (vetvetes). Ata, pra, e kalojnë këtë rrjet përzgjedhjeje. Në Itali, në edicionin e sivjetshëm të "Grande Fratelo" konkurruan mbi 90 mijë veta për 20 konkurrentë. Kjo punë paraprake është parakushti i suksesit që përcakton ecurinë e jetës brenda në shtëpi dhe ofron mundësinë e një jete intensive, domethënëse dhe spektakolare, në ditët, orët dhe çdo çast të ngujimit. Ata janë të barabartë në raport me kohën e të qenit të monitoruar, me hapësirën jetike, me kushtet jetësore dhe marrëdhëniet me "Vëllain e Madh".

Detyrimi i tyre është ta masin këtë kohë me rendiment, ta jetësojnë atë hapësirë si jetike dhe të "paanë", duke e virtualizuar brenda vetes, të dinë të kenë koherencë logjike dhe sinqeritet të palëkundur me "Vëllain e Madh", përndryshe, ajo që rëndom quhet lojë, mund të dështojë që në hapat e para. Brenda të "treguarit real" ("reality show") të kontrolluar nga televizioni dhe përmes tij nga audienca, vërtet ka edhe lojë, por sikurse thotë psikologu italian, Meluci, i ngarkuar në monitorimin e "Grande Fratelo"-s, "loja duhet të jetë e sinqertë dhe koherente", sepse në ndryshim nga paraardhësit tanë majmunoidë, ky komunitet që kufizohet të jetojë në pak marrëdhënie atje brenda (ndaj lindin dashuri apo kryhen edhe marrëdhënie seksuale) duhet të përdorin, si armën më të fortë, arsyen dhe mirëkuptimin.

Ata, brenda rregullave të lojës, janë të barabartë, sepse të gjithë kanë të drejtë të nominojnë të gjithë. Pikërisht te nominimi i fshehur, në Dhomën e Rrëfimit është "zemereku i lojës", sepse banorët janë të fshehur ndaj njëri-tjetrit dhe kur dalin prej saj, janë në siklet se mos u "lexohet sekreti". Nominimet e pamotivuara janë defekti i atyre që luajnë keq. Kjo procedurë, që tanimë ka filluar të bashkëshoqërohet edhe me nominim të hapur apo me caktimin herë pas here të individit më të mirë të javës që gëzon imunitet, e ka rritur intensitetin e marrëdhënieve dhe ka ndihmuar në transparencën dhe mundësinë më të mirë të njohjes së pjesës së errët apo të fshehur të banorëve ndaj njëri-tjetrit. Kjo ndodh në ato vende ku ka eksperiencë më të gjatë. Gjithashtu, kjo marrëdhënie njerëzore me fillesë nga Delfi ("Njeri, njih veten") që sot në shoqërinë e multikulturalizmit dhe individit të tregut përballë dilemave e sfidave e ka sjellë në "Njeri, ji vetvetja", u jep mundësi drejtuesve dhe kuratorëve profesionistë të shfaqjes televizive një herë në javë, si dhe emisioneve speciale apo të tjera forma institucionale që e rrokin këtë imazh të dokumentuar, të ndihmojnë në evidentimin e problematikës shoqërore, si në një tërësi strukturore, e po ashtu edhe të artikuluar në fenomene konkrete apo dukuri specifike.

***

Le ta lëvizim fokusin zmadhues te banorët e këtij viti në "Big Brother Albania 2". Janë evidentuar problematika, si "fëmijët e braktisur, të rritur me një prind", që është sot një problem në shoqërinë mbarë botërore dhe që deformon fëmijërinë e milionave adultë të nesërm. Është po ashtu e pranishme jeta e mbytur nga mungesa e lirisë individuale, për shkak të inkubacionit që vjen nga fanatizmi, nga besëtytnitë, nga konvertimi koniunktural, si dhe moskuptimi për privatësinë, apo më keq akoma, nga e "drejta e padrejtë" për të poseduar jetën e tjetrit në emër të një morali kolektiv, si tipar i shoqërive provincialiste. U evidentuan marrëdhëniet në çift për familje që krijojnë raporte krushqie e martesore, bazuar në të drejtën zakonore. U bënë prezente marrëdhëniet mes brezave, kur një çift i ri, në një familje të re, përfshihen në konflikt. Problematika e një njeriu që i është larguar drogës dhe ringrihet për ta rindërtuar jetën, larg veseve dhe shembulli që jep për të tjerë përdorues ose për ata që luftojnë t‘i largohen vdekjes së përditshme prej saj.

Jemi ndeshur me një problem thelbësor të raporteve mes shqiptarëve që janë larguar nga Atdheu dhe dëshirojnë të kthehen, por që pengohen nga "cultural gap" (distanca kulturore) me bashkatdhetarët, sepse dallojnë me ta në sensin progresiv nga niveli kulturor, nga principet për jetën, nga kuptimi që ata kanë dhe administrimi që i bëjnë lirisë. Duket si i izoluar e periferik, por u ndeshëm edhe me problemin e patologjisë së sotme të "boshllëkut shpirtëror", që vjen nga konsumizmi kur çdo gjë ekonomikisht e ke nga të tjerët dhe je i bezdisur nga vetja, ndaj në çdo rast kundërshton, nuk pranon vërejtje, apo më keq bën "tutorin e mendimit" (harron që këtë atribut e ka "Vëllai i Madh", pas të cilit janë vlerat humane dhe civile të një shoqërie të shëndoshë) dhe pasi "zbrazesh", ndjehesh i lodhur dhe shprehesh pa teklif: "unë jam i tillë, i përkëdhelur"! Ky mozaik problemesh nuk mund të shpjegohet nga dashamirë të medias apo nga provokatorët pozitivë që mendojnë aty për aty. Ata nuk janë pjesë e spektaklit televiziv.

Në formatin origjinal Ata (ose Ai) janë pjesa e dukshme, por e pashpallur e "Big Brother". Mendimet dhe gjykimet e tyre janë me peshë dhe ndiqen edhe nga audienca, edhe nga banorët.

***

Kurimi i njeriut përmes "talking terapie" (bisedës kuruese) dhe mediatizimi përmes imazhit televiziv e ndihmon njeriun të ndryshojë botëkuptimin spontan. Fillimisht duke treguar çdo skutë të vetes, pastaj duke u shprehur ndaj marrëdhënieve familjare e më gjerë, si dhe duke mbajtur qëndrimin ndaj dashurisë njerëzore.

"…Karakteri aktiv i dashurisë bëhet i dukshëm me faktin që ajo nënkupton gjithnjë elementë të caktuar bazë, të përbashkët për të gjitha format e dashurisë. Këto janë: përkujdesja, përgjegjësia, respekti dhe njohja". (Erich Fromm, "Arti i të dashuruarit", faqe 38, botimi shqip, 2208).

E nëse ky edicion i dytë i "Big Brother" në Shqipëri, i ka emetuar këto vlera, misioni është i kryer. Unë personalisht besoj se po!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›