E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi amerikan, rezolutë për Bosnjën

Kongresi amerikan miratoi njëzëri një rezolutë, ku thekson se rregullimi kushtetues aktual i Bosnjë-Hercegovinës (B-H) nuk është as efikas e as racional, dhe se Marrëveshja e Dejtonit përmban shumë kompromise që kanë qenë të imponuara në atë kohë, me synimin imediat që të mbroheshin jetët e njerëzve. Dokumenti i miratuar, sikurse bëhet e ditur, thekson se, edhe pse Marrëveshja e Dejtonit ishte një sukses i madh për kohën dhe shpëtoi shumë jetë njerëzish, kompromiset e shumta që ajo përmban, tani po i vështirësojnë përpjekjet për zhvillimin e institucioneve politike efikase në këtë vend. "Rregullimi kushtetues aktual i Bosnjë-Hercegovinës nuk është as efikas dhe as racional. Ekziston një nevojë që po bëhet gjithnjë e më urgjente, se B-H duhet të punojë për krijimin e një shteti efikas me institucione funksionale, në gjendje që të përmbushnin angazhimet e brendshme dhe ndërkombëtare", theksohet në Rezolutën e Kongresit amerikan. Ky i fundit i ka rekomanduar administratës amerikane që të caktojë një të dërguar special të vetin për Ballkanin, i cili, në bashkëpunim me BE-në do të garantonte kryerjen e reformave, sidomos në fushën kushtetuese, në B-H. Anëtari i Presidencës së B-H-së, Haris Silajxhiç, e përshëndeti miratimin e rezolutës, sepse ajo, e kombinuar me vizitën e javës së ardhshme të zv.presidentit të SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë, do të përbënte një "konkretizim të planeve për një angazhim më të fuqishëm të SHBA-së".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›