E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fryn rrezikshëm nga kafenetë televizive!

Teriaqinj, siç jemi, me shpirt e me rehat te kafeneja, veçse nga çdo shesh, rrugë, rrëzë qyteti e fshati, kafenetë e bekuara i kemi ngjitur edhe nëpër ekrane. Doemos të ekraneve që nuk vijnë era fukarallëk, si shumica e shumicës së mejhaneve, ku dergjen të gjitha llojet njerëzore, të sëmurët dhe të shëndetshmit mendërisht e fizikisht. Jo! Kafenetë e ekraneve llamburitin nga drita dhe luksi pa fre. Po ashtu, llamburitin kokë e këmbë veshur firmato, edhe klientët. Në ndryshim nga ashikët e mejhaneve që janë të turlillojshëm, këta të ekraneve janë po ata, rreptësisht e gjithnjë të njëjtët! Aq të njëjtët, saqë njërit syresh pasi në dhjetërat e herëve të frekuentimit ia kishin numëruar si të tijat gjithë çfarë ka lista e cilësimeve për të gjallët, në një diskutim për fenë, zotërinë, e respektuar në fakt, në titra e cilësuan… "Filan Fistëku, ateist"!

Dhe meqë zbulova titrat, besoj u kuptua që fjala është për emisionet e tipit opinione, në thuajse të gjitha televizionet tona. Hasëll-hasëll është fjala për misionin dhe mesazhin njëtrajtësisht dhe vetëm politik që përcjellin në publik. Sipas meje, të mëshuarit në mënyrë kaq mizore mbi politizimin me çdo kusht dhe ekstrem të shoqërisë tonë të drobitur, është një krim, një lloj si e marra me drogë. Përballë halleve pa numër, me të cilët përleshet ditë e natë jashtë-unaza e Tiranës, jug e veri, shkëlqimi i studiove që shfryjnë gromësima të ndenjura politike, është një cinizëm që të ngul thikën jo në zemër, po mu në shpirt. Duhma qelb sidomos në darkat, ku përballë rreptësisht të njëjtëve të sipërpërmendur, vihen burrat që kanë në dorë fatet e vendit. Kryeministrat e radhës, kryetarët e bashkive, të kryeqytetit veçanërisht. Përballja me ta në kafenetë televizive, prej kohësh, nuk sjell gjë prej gjëje të re. Janë as më shumë e as më pak, por një bërtitje suksesesh, shumicën e herës të imagjinuar, ose në të kundërt, munxa e palës tjetër, edhe mbi kokën e djallit, edhe mbi kokën e engjëllit.

Panelet! Ǒfjalë e çuditshme kjo! Janë thuajse gjithnjë zotërinj e zonjusha të zgjedhur e të preferuar respektivisht, që shohin në dritë të syrit, gjithë përdëllim, Filanin. Më mirë nxjerrin njërin sy, se sa përçapin tej ndonjë pyetje nga ato të rënat dakord më parë. Dhe kafeneja pluskon qetësisht. Molisja e saj prishet vetëm nga fishkëllima në ajrin e palëvizur, kur gishti i Filanit ngrihet, bën harqe, pret shkurt dhe ultimativisht, si shpatë Demokleu. Pak a shumë dhe thënë shkurt, në këtë tragë ecin emisionet që bubullojnë darkë më darkë në çdo ekran, pavarësisht kombëtar ose jo!

Gjersa, o Zot shyqyr më në fund, afrohet fundi! Dhe drejtuesi i emisionit të përdarkshëm, të përmesnatshëm, e të nesërm gjatë ditës, vë qershinë mbi tortë:

- Zoti Filan! Nëse humbni zgjedhjet, do jepni dorëheqjen? Po dua një përgjigje të sinqertë(!)

Dhe nëne, o nëneee! Pikërisht atë kohë fillon gallata! Se pikërisht kjo pyetje, është më e sakta, më jetikja, më e përvëlimta për Filanin! Ndaj dhe ne bëhemi tel para ekranit.

- Hë, ç‘a do thotë! Pash Zotin, ç‘a do thotë, ore aman! Do iki thua ti? Unë them jooo! Ku shkulet ai nga karrigia, babam! Harroje!

Dhe përtypim thonjtë në ankth si të luajtur nga mendtë, e të ndarë në grupe tifozësh.

Po Ai! Ǒe luan dhe ai pjesën! Ama është ngushtë si në dhokan. Ndaj dhe pupupuu, si përpëlitet, ndaj dhe Zot o Zooot, ç‘torturë të paparë i bëjnë në fytyrë muskujt që sajojnë buzëqeshjet dhe buzët që, edhe në të "qeshur" e sipër, përcjellin përbuzje! Sytë nuk kanë punë në këtë proces. Ata janë gjithnjë të shkretëtirtë dhe të akullnajtë. S‘ka vend për dritë dhe hare jete, përtej dy frëngjive ku zien zijafeti i nepsit patologjik për pushtet. Çfarë nuk dëgjon të thuhet e të skërmitet, me gjeste dhe me mimikë më shumë, se fjala nuk para bindet. Një arsenal i pafund veprimesh e lëvizjesh, që do t‘i kishte zili edhe palaçoja më i përkryer i cirkut. Vetëm e vetëm për t‘iu shmangur "Qafës së Ikjes", ku e shtyjnë të kalojë zotërinjtë e kafenesë televizive. Që t‘i rrëmbejnë një… "po, do largohem", që t‘ia komunikojnë pastaj, si mandatë pas zgjedhjeve: "Hajt, marsh tani, se vetë ke thënë do iki".

Trembet kot Filani, fare kot. Edhe të dojë të ikë, nuk e lë njeri. Rasti i ikjes së z. Nano (nuk bie më poshtë as kthimi i zotit Meksi) është më i pashembullti për nga spekulimi, dhe i përmasave që as vetë të zotit nuk ia kishte marrë mendja. Rreshtimi në front i thuajse të gjithë bosëve të kafeneve televizive, insistimi i tyre për rikthimin me çdo kusht, ose të Nanos ish-lider, ose të Nanos gogol, sidomos kur kujton ç‘i punuan derisa iku, është një paprecedencë e padëgjuar! Qenien apo jo të Nanos në listën e deputetëve të ardhshëm, kafenetë televizive e përcjellin dhjetë herë më të rëndësishme se vetë fatin e zgjedhjeve. Nxitja e urave të sherrit, injorimi i rregullit, ligjësisë madje, të përfundimit të misionit, edhe biologjik, të jetës së sekujt, nxit me dashje ose jo flakërimin e një zjarri. E një zjarri që në këtë rast nuk pjek dashin e orekseve të bosëve të kamur e të dhënë pas gallatës, por shkrumbon opozitën, këtë që është dhe atë që do vijë. Sepse skema vazhdon dhe emrat vetëm sa e ilustrojnë.

Nga të njëjtat kafene, vitin e fundit sidomos, po vihet re një insistim më mizor dhe më qesharak se i Don Kishotit. Pikërisht mania e pakuptimtë, ose shumë e kuptimtë xhanëm, për risjelljen në jetën publike të njerëzve me mision të mbaruar, ose të meitëve të historisë. Gjithë kjo makutëri auditive është shndërruar në një frymë, në një duhmë të rëndë e të rrezikshme. Janë dhjetëra, në mos qindra orë të marra së bashku, ku transmetohen mbresa të lloj-lloj njerëzve të lidhur me intimitetet e hierarkëve të diktaturës komuniste. Dhe të ishin libra, ku ma gjen, se kushtojnë të lexohen! Janë emisione direkte, fatkeqësisht, profesionalisht me shumë nivel, që i bëjnë një homazh absurd, ngrehinës që na plasi buza, gjer sa të paktën e përmbysëm, në mos e ç‘themeluam dot. Ndoshta është një naivitet i patëkeq punonjësish (ashtu qoftë) që rropaten arkivave për të gjetur hynere dhe të bëra njerëzish, jeta e të cilëve ka ecur shllap-shllup nëpër gjakun e viktimave të tyre. Për ca palë sy më shumë në ekranin ku shërbejnë këta të zellshëm, e vlen vallë të dihen tërë sëmundjet e rrangullave të barkut të Enver Hoxhës?! Të dihet, jo treguar prej tij, se na paskej qenë një punëtor dhe lexues i madh, që nuk pushuaka asnjë minutë së rropaturi për lulëzimin e Shqipërisë (kur këta të sotmit vetëm e vjedhin, shton me mend i pafajshmi njeri). Flagranca e rastit të doktor Sabit Brokajt e z. Agim Popa para tij etj., etj., tregimet e tyre për ditët e fundit të diktatorit mbjell padashur nostalgji, që ata mund edhe ta kenë për arsyet e veta, por që nuk duhen lejuar ta moderojnë në një ekran të madh kombëtar. Për shkak se nuk kanë sens dhe domethënie, dhe nuk janë as të llojit rozë, po thjesht gri e përmortshme. Dhe sidomos, sepse në referimin mes dy kohëve, rrezikon të simpatizohet ajo e konsoliduara për pesëdhjetë vjet, përballë kësaj të brishtës, halleshumës edhe pse të bukurës, e shtrënguar të jetë, me sa duket, edhe për ca breza shqiptarësh, demokraci në tranzicion.

Në të njëjtën kornizë dhe në të njëjtin vështrim, mund të shihen invadimet në shtyp dhe ekrane të Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës, dhe Muho Asllanit dhe plot e plot ndryshkësirave të tjera, që as e kanë në mend të sjellin me gjallje, dëshmi të reja, që do të bënin të mundur zhvidhosjen vegël më vegël të diktaturës. E përse ta bëjnë, kur ekranet i presin gjithë temena, servilizëm e bile admirim, që ata të ripërmasëzojnë pafajësinë e tyre e, madje, për të tundur gishtin qortues ndaj demokracisë!

Diktaturat i ndëshkojnë, por edhe i mësojnë popujt.

Kjo e jona, tjetër gjë se ne nuk e marrim në konsideratë, na mësoi se mënyra më efikase për të zhbërë një kohë, një dukuri, një grup apo një person të vetëm, është vuvërimi dhe qorrimi i tyre. Kjo e jona ia doli të zhbëjë përfundimisht personalitete dhe kohë të vlefshme për vendin, duke nisur që nga vitet e miturisë së shekullit që shkoi, e gjer në vitet më të vona. Sa për ilustrim, gjëma që iu bë Ballit Kombëtar dhe Legalitetit (s‘mu nda politika dhe mua) nga komunistët, është aq përfundimtare, sa të shkretët, edhe pse të mbledhur në partira, nuk e kapërcejnë dot as njëckën e përqindjes së mbështetësve në zgjedhje. Jo më pak asgjësoi, gjithashtu përfundimisht, gjithashtu me injorim, pronarët e mëdhenj e të vegjël. Ia doli të mbjellë edhe për ta, në opinionin e njeriut të ri, një përbuzje proletare që s‘po shlyhet as sot e gjithë ditën, edhe pse e drejta e tyre mbi pronën mbetet kyçi kryesor që mund të lëvizë, për nga hapja, dyert e Evropës.

Të kuptohemi! As dua të ndihem e as nuk jam ndonjë usta i madh i këtyre punëve, ca më pak njohës më i mirë se ata që punojnë e u bie bretku nëpër televizione. Vetëm se këto që thashë, janë përjetime të provuara shumë e shumë herë, të verifikuara edhe me të tjerë. Sepse koha me zgjedhje në prag, koha me zgjedhje jo si çdo zgjedhje, po zgjedhje me - Z - të madhe, temperatura e lartë e ecurisë dhe fatit të tyre, e "prish", e bën të helmët avullin e ndenjur të qofteve, që shfryn nga xhamet e kafeneve televizive. Shumëkush, edhe unë mes tyre, do t‘i dëshironim këto emisione, banka akuze për çdo të pushtetshëm. Sepse s‘ka pushtet që mund t‘i shpëtojë akuzës së çfarëdollojtë. Do t‘i dëshironim seancat e hetimit të pakompromistë, ndaj atyre që duan pushtetin, për të matur saktësinë dhe masën e së vërtetës, në ato që premtojnë. Dhe sidomos, e këtë radhë veçanërisht, në emër të publikut, të detyroheshin të viheshin në betim solemn, se nuk do t‘i djallosin këto zgjedhje, për hir të një katërvjeçari majë karriges!

Jo të përkëdhelet sedra e njerëzve me ego të përmbushura e me misione të mbyllura për të mirën a për keqen tonë, se e tyrja është gjithnjë mirë. Televizionet, si mundësi të jashtëzakonshme komunikimi, duhet t‘i shndërrojnë kafenetë e sotme në fokuse të mëdhenj, në poligone ku të shtihet në mënyrë të përpiktë dhe të asgjësohet pa mëshirë gjithçka që hedh hije dhe kthen në ngërç hapin e shtrirë drejt Evropës. Dhe duhet kuptuar që kjo nuk mund të arrihet, pa lënë "të vdesin e të mbulohen" gjithë respekt ata që i kryen misionin dhe punët e tyre. Duke bërë në çdo rast kujdes të mos lënë jashtë ndonjë copë litari-detonator, që të na rivënë ndonjë zjarr tjetër, i cili do të na e përcëllonte edhe një herë e pandreqshmërisht rrashtën tonë të zhuritur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›