"Rozafa", grishja e turistëve
Kalaja e Rozafës është një grishje për të gjithë turistët. Teksa kalon portën, mes rrënojave të mureve të pret një udhëtim mes të vërtetës dhe legjendës. Panorama që ofrohet nga lart është mahnitëse. Drejtori i monumenteve, Ervin Gjini, i cili na shoqëron në këtë vizitë në disa prej monumenteve, shprehet se vitet e fundit kalaja është gjithnjë e më e vizitueshme. Janë kryesisht turistë ditorë që vijnë nga Mali i Zi. Disa syresh i takojmë teksa dalin. E kanë mbaruar vizitën. Një ciceron shpjegon historinë. Pjesë e rrëfimit është edhe një hark, i pagëzuar prej vizitorëve të thjeshtë si "varri i Rozafës". Për të huajt ndoshta është vetëm një legjendë e këndshme për t‘u dëgjuar, ndërsa te vendasit është e mbrujtur edhe me forcë besimi. Nënat e reja, të porsalindura, edhe sot e kësaj dite kërkojnë bekimin për të pasur më shumë gji për të vegjlit e tyre. Aty ku besohet se rrjedh qumështi i Rozafës së murosur, marrin diçka për ta përzierë në ujë e për ta pirë. Harqe të tjera të çojnë në brendësi të kalasë. Në rrethim ndodhet edhe një muze modest, me objekte që përpiqen të konkretizojnë diçka nga vitet e shkuara. Ndonëse gjatë këtyre viteve të fundit është bërë përpjekje për ndonjë investim si ndriçimi (një episod i vjedhjes së kabullit u shënua pak kohë pas përurimit), në parim nuk ka ndonjë investim madhor. "Rozafa" është tashmë pjesë e Parkut Arkeologjik dhe investimet menaxhohen nga kjo zyrë. Në zbatim nuk është vënë ende as investimi për ndërhyrjen në kishën-xhami, e bërë pjesë e historive interesante që tregohen për këtë kala. Duket se ndërhyrja më e afërt do të jetë një rregullim për parkimin e makinave në hyrje të kalasë. Të tjerat i mbeten të ardhmes.