E Diel, 1 Nëntor 2026

Bajden në Ballkan, Sejdiu: Një vizitë vërtet historike

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të ndërpresë, siç i ka cilësuar, veprimet destruktive dhe të marrë përgjegjësitë që t‘ua sqarojë serbëve të Kosovës se Kosova është vend i tyre. Ai tha se Beogradi duhet të dërgojë porosi pozitive tek serbët e Kosovës që do të ishin të nevojshme për të mbështetur proceset, përfshirë edhe atë të zgjedhjeve lokale. Gjatë një intervistë me BBC-në, Presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës dhe partive të tyre politike që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të bëjnë presion mbi serbët, por do të japin një ofertë për procesin zgjedhor.

Presidenti tha se në fillim të javës së ardhshme do të fillojë edhe konsultat me partitë politike në vend, dhe në veçanti me ato opozitare, për të nxjerrë një datë të preferueshme nga të gjithë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Zoti Sejdiu tha se strukturat paralele serbe po e mbajnë situatën të tensionuar në Kosovë dhe e akuzoi Beogradin zyrtar se, duke shpërdorur mbi 230 milionë euro të taksapaguesve evropianë, ka financuar këto struktura paralele.

Duke e cilësuar si një sekuencë të keqe klimën e krijuar pas mospjesëmarrjes në ceremoninë e përurimit të Presidentit të Maqedonisë, Sejdiu ripërsëriti qëndrimin se në zyrën e tij nuk ka arritur asnjë ftesë zyrtare. "Mendoj se ka ardhur një kohë e nevojës për komunikime të ngjeshura dhe pa rezerva të vendeve të Ballkanit, përkatësisht të përfaqësuesve të këtyre vendeve. Mendoj se në këtë kohë secili duhet të japë kontributin e vet. Unë, si President i vendit, të themi i shtetit më të ri në Evropën Juglindore, në Evropë dhe në botë, do të përpiqem të japë sinjalet më të mira pozitive të bashkëpunimit të ndërsjellë, në radhë të parë me vendet fqinje, por edhe me vendete tjera të rajonit, për të krijuar së bashku një epokë të re të zhvillimeve dhe mendoj se është koha, siç e thashë edhe në fillim", tha ai.

Duke folur për pakicën serbe dhe një strategjie të mundshme të autoriteteve kosovare për ta zbutur ndikimin e Beogradit mbi pakicën serbe në Kosovë, Sejdiu tha se janë çështje që duhet të shkojnë paralelisht. "E para, është projekti i qeverisë dhe i institucioneve të Kosovës në garantimin e të drejtave njerëzore të të gjithë qytetarëve. Pra, kjo nënkupton se secili të kthehet në pronën e vet. Flas për serbët që janë të koncentruar në veri të Kosovës e që janë nga pjesë të tjera, të kthehen në shtepitë e veta dhe të mos shërbehen me krijimin e tensioneve atje ndërsa banesat dhe pronat e tyre i kanë lëshuar me qera. Dhe çështja e dytë, është një presion më i madh i bashkësisë ndërkmbëtare mbi Beogradin. Beogradi është çelësi themelor edhe tash që ka mbajtur peng dhe në iluzion këtë kategori të qytetarëve serbë dhe ka shpenzuar para të mëdha për mbajtjen e strukturave paralele. Ato struktura që realisht, udhëheqësit e tyre, i kanë borxh drejtësisë, edhe asaj ndërkombëtare, njerëz që kanë bërë krime në Bosnjë, Kroaci po edhe në Kosovë dhe e them me përgjegjësi këtë. Dhe e dyta, donacionet që kanë marrë, në forma të ndryshme, nga bashkësia ndërkombëtare janë para që janë shpenzuar pikërisht për ta", shpjegoi Presidenti i Kosovës.

Ai e ka konsideruar "historike" vizitën e pritshme në Ballkan të zv/presidentit amerikan, Xho Bajden. "Unë e kam cilësuar dhe e cilësoj vërtet si një vizitë historike, sepse është personaliteti më i lartë, zyrtari i SHBA-së, që e viziton Kosovën, tani në këtë periudhë pas pavarësimit të vendit, sepse kemi patur edhe periudhën e pasluftës menjëherë kur ka qenë edhe vizita e Presidentit Klinton dhe pastaj edhe Sekretares Ollbrajt, dhe vizita të tjera që kanë qenë të niveleve të ndryshme. Por them se në këtë periudhë kjo edhe njëherë shënon shumë qartë përcaktimin e SHBA-së për Kosovën, për pavarësinë e saj, për mbështetjen që duhet t‘i jepet zhvillimit të proceseve që kemi para vetes, që është dëshmuar të themi edhe me pjesën praktike të investimeve, sui generis, do të thosha në Kosovë, pra të natyrave të ndryshme dhe në cilësinë çfarë SHBA-ja di ta bëjë për Kosovën", theksoi Presidenti Sejdiu. Sipas tij, SHBA-ja kanë qenë dhe do të mbetet faktor i rëndësishëm për të ndërtuar apo investuar për paqen dhe stabilitetin. "Unë them se pa këtë mbështetje të fuqishme vështirë se do të kishim këto procese që kemi sot. Besoj se angazhimi i SHBA-së, i tyre dhe i aleatëve nga BE-ja, por edhe i vendeve të tjera do të jetë në këtë prizmë dhe do të udhëhiqet pikërisht me këtë ndjenjë dhe me këtë qasje të thelluar", shtoi Sejdiu.

Por vizita e pritshme e Bajden është pritur me reagime të ashpra nga nacionalistët serbë. Ata kanë shprehur dje pakënaqësinë e tyre ndaj vizitës së zv/presidentit amerikan, Xho Bajden, duke e akuzuar atë se është kundër serbëve. Bajden do të jetë në Serbi javën e ardhshme, në kuadër të turneut në Ballkan, që përfshin edhe vizitat në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. "Ne besojmë se deklaratat dhe politikat e Bajden bien në kundërshtim me interesat e Serbisë dhe të popullit serb", ka deklaruar Jovan Palalic, anëtar i Partisë Demokratike të Serbisë. Ndërsa politikani tjetër, Aleksandar Vulin, ka thënë se Bajden nuk është i mirëseardhur në Serbi.

Në prag të turneut të Xho Bajdenit në Ballkan

I dërguar special i ri

amerikan për Ballkanin?

Në një bisedë që zhvilloi ditët e me gazetarët e akredituar në Bruksel, Stjuart Xhons, zv.ndihmës i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, i ngarkuar me çështjet e Ballkanit Perëndimor, midis të tjerave, la të kuptohet se Uashingtoni nuk është i kënaqur nga zhvillimet në Ballkan, sidomos nga veprimet e BE-së sa i përket integrimit euro-atlantik të vendeve të rajonit dhe se, ka shumë të ngjarë, që ai (Uashingtoni) të caktojë një të dërguar special për Ballkanin. Sipas z.Xhons, tani nuk është më sekret se SHBA janë shumë të shqetësuara për shkak të disa rekomandimeve, që janë shpeshtuar kohët e fundit, nga ana e disa vendeve-anëtare të BE-së, që vënë në pikëpyetje përpjekjet për anëtarësim të vendeve të Ballkanit në BE dhe NATO. Sipas tij, Uashingtoni do t‘i dyfishojë përpjekjet në drejtim të BE-së, me synimin që të përshpejtohet integrimi euro-atlantik i vendeve të Ballkanit. Xhons paralajmëroi se nënpresidenti i SHBA-së, Xho Bajden, që javën e ardhshme do të bëjë vizita në Sarajevë, Beograd he Prishtinë, do të përçojë mesazhin se administrata e re në Uashington është jashtëzakonisht e interesuar për zhvillimet në Ballkan. Megjithëse ai theksoi se vendimi për caktimin e një të dërguari special amerikan në Ballkan, është ende në fazën shqyrtimit, ai vuri në dukje se, megjithatë, roli i tij i vetëm do të ishte përshpejtimi i integrimit euro-atlantik të vendeve të rajonit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›