Apeli; Refuzon garancinë pasurore, “arrest me burg” për Arben Lazen
Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda ka refuzuar dje garancinë pasurore të presidentit të ekipit të futbollit “Elbasani”, si dhe pretendimet e tij për mosimplikim në trafikun e drogës. Togat e zeza e kanë filluar zhvillimin e seancave me presidentin Laze dhe më pas kanë vijuar me vëllain e tij dhe dy dyshuarit si bashkëpunëtorë në këtë trafik droge. Pasi kanë dëgjuar pretendimet e palëve, togat e zeza kanë vendosur lënien e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve. Të njëjtën masë sigurie gjykata ka vendosur edhe ndaj tre të pandehurve të tjerë të vënë në pranga në sajë të operacionit “Mesfushori”. Gjatë masës së sigurisë, Laze mësohet të ketë përjashtuar veten e tij nga trafiku i drogës Maqedoni-Shqipëri-Itali, i pretenduar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burime nga gjykata sqaruan se Laze nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si dhe nuk kishte lidhje me dijeni për trafikun e drogës. Për këtë, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës i pandehuri ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar pak ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me një masë sigurie më të butë. E jo vetëm kaq. I pandehuri ka lënë në duart e gjykatës caktimin e një shume si garanci pasurore për lirimin e tij nga qelia. Por, gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 40-vjeçarit Laze. Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për të pandehurit Shkëlqim Hyzmo, Arben Prifti dhe Fatjon Laze. Ky i fundit ka marrë përsipër të gjithë trafikun e drogës, duke përjashtuar të vëllain e tij. Ai i kërkoi gjykatës lirimin e të vëllait, pasi nuk kishte pasur dijeni. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të dhëna të marra nga përgjimet dhe vëzhgimet se Arben Laze kryente të gjitha veprimet financiare të grupit të tij kriminal që merrej me trafik droge, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë kanë qenë korrierë droge. Hetimet kanë përcaktuar se 40-vjeçari Laze dyshohet se prej vitesh kontrollonte trafikun e drogës nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas furnizonte linjat e rrjeteve të ndryshme që trafikonin drogën drejt Greqisë e Italisë. Laze është përgjuar, vëzhguar e fotografuar në takimet e bisedat që ka kryer me bashkëpunëtorët e tij, e veçanërisht me shtetasin Arben Prifti, person ky që ka porositur heroinën nga presidenti i klubit të futbollit të qytetit të Elbasanit. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, Laze, pas sigurimit të drogës, e ka ngarkuar me detyrë vëllain e tij, Fatjon Lazen, të kryente rolin e transportuesit të drogës për t‘ia dorëzuar mallin porositësit fierak, Prifti. Pas lënies së detyrave, ai është nisur drejt Maqedonisë, ku mendohet se ka ikur për të shlyer detyrimet e drogës, por edhe për të nxjerrë alibinë, sipas së cilës, nëse i vëllai arrestohet, se ai nuk kishte dijeni, pasi ndodhej në Maqedoni. Një ditë më pas, rreth orës 17:30, kur Laze ka kaluar traun e doganës së shtetit fqinj, Maqedonisë, për t‘u paraqitur në doganën shqiptare të pikës kufitare të Qafë Thanës, atij i janë vënë prangat në duar, pa i komunikuar asgjë.