“Banda e Lushnjes” Mungesa e avokatit Ibraj, rebelohen 15 dëshmitarët
Komunikimin për shtyrjen e seancës së djeshme nuk e kanë pritur aspak mirë 15 dëshmitarët e thirrur nga gjykata për të dëshmuar për krimet e “Bandës së Lushnjes”. Ata janë rebeluar ndaj gjyqtares kryesuese Marsela Balili, e cila i lajmëroi për datën e seancës së radhës, duke u komunikuar se nuk duhet të mungonin në seancë për të dëshmuar. Madje, ajo i ka njoftuar se shtyrja ka ardhur për shkak të mungesës së avokatit Marash Ibraj, i cili mbron interesat e të pandehurit në mungesë, Arjan Aliçaj. Në këtë moment, reagimi ka qenë i menjëhershëm nga dëshmitarët e ardhur nga Lushnja, të cilët iu drejtuan gjyqtares me fjalë: “Nuk vijmë më në gjyq. Mos na thërrisni për të dëshmuar. Nuk është hera e parë që na mundoni kot. Avokati deri tani këtu ishte në korridor, madje edhe në kafe më parë”. Me këto fjalë, ata u larguan nga salla e gjyqit, duke i përsëritur njëzëri gjyqtares se nuk do paraqiten seancën e ardhshme. Gjyqtarja deklaroi mbylljen e seancës, njoftoi zëvendësimin e avokatit Ibraj me një avokat kryesisht, si dhe njoftoi se do lajmëronte për marrje mase Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Këta mendohet të jenë ndër dëshmitarët e fundit që pritet të sillen për të dëshmuar. Ndërkohë që mësohet se gjykata do të administrojë si një dëshmi të rëndësishme edhe atë të dhënë në një proces të ngjashëm pak vite më parë nga Petrit Liçi, ku si të pandehur ishin një pjesë tjetër e bandës, ekzekutorët.
KLD
Të hënën hidhet shorti për 8 gjyqtarët për Kolegjin Zgjedhor të Apelit
Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se ditën e hënë do të hidhet shorti për përzgjedhjen e 8 gjyqtarëve që do përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Shorti do të hidhet në orën 10:00 në ambientet e KLD-së, ndërkohë që të pranishëm do të jenë përveç konkurrentëve dhe anëtarëve të Këshillit, Presidenti i Republikës, gazetarët, përfaqësues nga dy partitë më të mëdha të pozitës dhe opozitës. Pas nxjerrjes së tetë emrave nga kutia, secili nga përfaqësuesit e dy partive të pozitës dhe dy partive të opozitës me numrin më të madh të mandateve në Kuvend, ka të drejtë të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit, duke mos pasur të drejtën e kundërshtimit asnjë nga partitë e tjera. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit dhe është procedurë e fshehtë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë, organizon një hedhje të dytë të shortit, për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga partitë politike. Tetë emrat që mbeten përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe menjëherë delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Brenda 24 orëve nga përzgjedhja me short, të tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, në një ceremoni publike, në prani të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës, bëjnë betimin.