E Shtunë, 31 Tetor 2026

BILISHT/ Fabrikë fantazmë plastmasi

DEVOLL - Banorët e Bilishtit protestojnë kundër ndërtimit të një fabrike të përpunimit të plastmasës në ambientet e ish-SMT të këtij qyteti. 

Revoltimi i tyre ka ardhur pas evidentimit të faktit që grumbuj të mëdhenj me plastmasë të përdorur janë shkarkuar në oborrin e kësaj godine. Ato janë shkarkuar aty ditët e fundit nga disa kamionë me targa greke dhe turke, në orët e vona të natës dhe se nuk dihet sjellësi i tyre. Të trembur nga ndotja toksike që do t'u krijojë kjo fabrikë, rreth 50 familje të zonës kanë bërë një denoncim në polici. Ndërkohë që bashkia e qytetit dhe drejtoria e mjedisit në qark kanë bërë të ditur se, nuk kanë dijeni dhe nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje me askënd për ndërtimin e ndonjë fabrike për përpunimin e plastmasit. Alarmi i banorëve të Bilishtit është mbështetur nga policia, e cila ka filluar hetimet rreth firmës fantazmë. Këtij qëllimi po i shërben edhe kontrollimi i mjeteve tip maune, që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet Doganës së Kapshticës. Njëherësh mësohet se policia po kryhen edhe patrullime gjatë natës për të ndalur çdo mjet tip maune, që i drejtohet lagjes së re të Bilishtit me ngarkesë plastmasi.                                                     j.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›