E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIER/ Puset e naftës vidhen për skrap

FIER - Një pjesë e mirë e kullave të puseve të naftës në zonën e Cakranit në Fier po vidhen për skrap. 

Në një total vjedhjesh prej 7 pusesh në 6-mujorin e fundit, vjedhja më e fundit është shënuar dy ditë më parë në Gjorgozë të Cakranit. Si të mos mjaftonte vetëm vjedhja e kullës, nafta bruto derdhet në sipërfaqe duke krijuar kështu rrezik ndotjeje mjedisore, si edhe rrezik zjarri në këto ditë të nxehta korriku. Banorët e zonës pohojnë se ata e kanë evidentuar këtë problem tek drejtuesit e "Albpetrol", të cilët u premtojnë marrjen e masave. Ndërkohë që deri tani askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë. "Unë kam shkuar vetë tek drejtuesit e kompanisë dhe më kanë thënë vetëm 'Rrofsh që na the. Do të marrim masa'", pohoi për gazetën një prej banorëve të zonës. Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë disa miliona lekë, kurse gjendja aktuale e puseve paraqitet skandaloze, fakt ky i pohuar edhe nga vetë punonjësit e kompanisë naftënxjerrëse. Ndërkohë nga ana e uniformave blu është ngritur shpesh problemi i mungesës së denoncimeve, nga ana e qendrës së nxjerrjes së naftës apo drejtues teknik të "Albpetrol"-it.            m.r.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›