E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabitin distributorin e vajit

TIRANE - Një pikë shumice e shpërndarjes së një kompanie vaji është sulmuar nga dy persona të panjohur, pasdite rreth orës 16:30. 

Sipas policisë, dy persona të armatosur me një pistoletë dhe të maskuar me kapele me strehë dhe syze të errëta, kanë hyrë në pikën e shpërndarjes së vajit me shumicë. Ata kanë detyruar shitësin të mbyllë derën dhe më pas i kanë kërkuar atij të hapte dhe t'iu jepte gjithçka kishte në të. Shitësi nën presionin e armës është detyruar t'i japë të gjitha paratë që kishte aty, rreth 60 mijë lekë. Pas kësaj, dyshja është larguar edhe pse nuk morën shumën që prisnin. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë ka nisur hetimin, ndërsa është marrë në pyetje shitësi i dyqanit të shpërndarjes së kompanisë së vajit. Personi u ka treguar atyre se personat ishin me kapele dhe syza të errëta, me një pistoletë në dorë. Blutë kanë shoqëruar në ambientet e tyre disa persona të dyshuar për t'i pyetur, por më pas ata janë lënë të lirë. Kjo është ngjarja e dytë brenda dy javësh e kësaj natyre, ku persona të panjohur hyjnë dhe grabisin në ambientet të ndryshme tregtare.                                    da.bi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›