E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket prej tri ditësh në det 16-vjeçari

DURRES- Ka dalë në det me shokët me një motor uji, por që prej tri ditësh, një 16-vjeçar me origjinë nga Burreli rezulton i zhdukur. 

Polumbarë dhe efektiva të Policisë Kufitare të Durrësit dhe Kavajës kanë nisur një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi për të gjetur adoleshentin. Policia bëri të ditur se, L. Stafa është zhdukur në mes të detit në rrethana të pazbardhura. Ai ishte i punësuar tek hotel "Horizont" në Golem si roje çadrash. Sipas  dëshmisë së shokëve me të cilët viktima kishte dalë në det të hapur, kishin dalë për të bërë një shëtitje me motor uji. Më pas shokët e tij janë kthyer, ndërsa 16-vjeçari kishte vendosur të bënte dhe disa xhiro nëpër det krejt i vetëm. Mjeti i shpejtë lundrues është identifikuar i braktisur nga pronarët vetëm 50 metra larg bregut. Familjarët e 16-vjeçarit kanë kërkuar edhe ndihmën e deputetit të zonës, i cili më pas kërkoi ndihmën e Ministrisë së Brendshme për kërkimin. Por deri më tani, adoleshenti ende nuk është gjetur, ndërsa kërkimet vijojnë. Ende nuk është përcaktuar qartë distanca e zhdukjes së të riut nga bregdeti i Golemit. Për kërkimet janë përqendruar vetëm 1.5 milje larg nga bregu, ku dhe ka ndodhur ngjarja. Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar edhe forcat e Reneas. Por deri tani, kërkimet kanë rezultuar pa sukses, pasi nuk është gjetur asnjë shenjë nga 16-vjeçari. Sipas policisë, dyshohet që i riu mund të jetë rrëzuar nga skafi pas hasjes në dallgë. Më pas adoleshenti duket se e ka pasur të pamundur të arrijë me not mjetin. Policia tha se, ende nuk është përcaktuar qartë distanca e zhdukjes së të riut nga bregdeti i Golemit.                      o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›