KE: Nukleari? Shqipëria të garantojë sigurinë
Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ndërtojë një central nuklear për prodhimin e energjisë elektrike, por më parë duhet të plotësojë disa kushte. I dërguari i Komisionit Evropian për Çështjet Energjetike, Fabrizio Barbaso, është shprehur dje në konferencën për shtyp se kushti i domosdoshëm që mundëson ndërtimin e nuklearit lidhet me garantimin e sigurisë. "Ndërtimi i veprave të tilla kërkon standarde të larta, siguri dhe infrastrukturë. Nëse Shqipëria i plotëson këto kushte, nuk shoh asnjë problem për prodhimin e energjisë nukleare", u shpreh Barbaso, i cili është dhe zëvendëspresident i Komunitetit të Energjisë, presidenca e së cilës u mbajt këtë vit për gjashtë muaj nga Shqipëria. Për këtë arsye, dje në Tiranë u mbajt mbledhja e pestë e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, në drejtimin e Presidencës Shqiptare. Mbledhjen e kryesoi ministri Ruli, në cilësinë e presidentit të këtij komuniteti. Mbledhja e djeshme bëri një bilanc të prioriteteve të Komunitetit të Energjisë, të përcaktuara nga Presidenca Shqiptare përpara marrjes së saj në qershor 2008. Prioritete të kësaj presidence kanë qenë zhvillimi i tregut të energjisë, marrja e masave për reduktimin e problemeve sociale si pasojë e reformave, investimet në nivel kombëtar, si dhe sigurimi i burimeve të energjisë. Në takim u vendos ngritja e qendrës rajonale të ankandeve për kapacitetet transmetuese. Kjo qendër, e cila do të ngrihet në Mal të Zi, ka një rëndësi të madhe për vende si Shqipëria, të cilat kanë shumë probleme me kapacitetet transmetuese. Në fjalën e tij, ministri Ruli tha se puna e bërë nga Presidenca Shqiptare ka qenë në përputhje me grafikun kohor dhe sipas tij "ofron stimulin për të çuar më tej zhvillimin në Komunitetin e Energjisë". Traktati për krijimin e Komunitetit të Energjisë, që përfshin energjinë elektrike dhe gazin natyror, u nënshkrua më 25 tetor 2005 në Greqi dhe hyri në fuqi më 1 korrik 2006. Ndërkaq, është diskutuar ideja për ndërtimin e një TEC-i me qymyr, i përshtatshëm për prodhimin e energjisë elektrike. I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian njëkohësisht edhe ministër i Mjedisit dhe Ekonomisë së Francës, Pierre Abadie. Sipas tij, Evropa nuk mund ta shikojë të ardhmen energjetike pa vendet e Ballkanit, të cilat përbëjnë një fuqi reale të rritjes së burimeve alternative për prodhimin e energjisë elektrike. "Diversifikimi i burimeve ujore është një objektiv strategjik, siç është shpjeguar tashmë, por edhe krijimi i një korridori gazi për Evropën Juglindore mbetet prioritet, si për BE-në ashtu edhe për Komunitetin e Energjisë", u shpreh Abadie.