E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdesi shëndetësor, shpërblime të mëdha në fund të vitit

Pagesa e çdo punonjësi të shëndetësisë, në bazë të punës që ka kryer, ishte një nga synimet kryesore të reformës në kujdesin parësor. Nisur nga kriteret e vendosura nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, këtë vit, punonjësit e shëndetësisë në qendrat shëndetësore parësore do të marrin shpërblim të mirë për vitin e ri.

Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, po të flasim për punën e mjekëve, treguesit e cilësisë së tyre janë të mira. Për 2007-ën, pra në vitin e parë të reformës, treguesit e performancës ishin mesatarisht në shkallë vendi në masën 40%. Pra 10% shtesë mbi pagën, i cili bazohet te numri i vizitave të kryera nga qendrat shëndetësore, //////////////u arrit në masën 40% në vitin 2007.

Ndërsa për 9-mujorin e vitit 2008, ky tregues arriti në 75%, një shifër kjo mjaft e ndjeshme. Ndërsa bonusi prej 5% shtesë për cilësinë e shërbimit, i cili shpërndahet çdo tre muaj, është arritur në masën 60%, edhe kjo një shifër e mirë, pasi bonusi ka filluar të shpërndahet për herë të parë në vitin 2008.

Dje, në një konferencë me temë: "Përmirësimi i cilësisë, sfidë urgjente për sistemin tonë shëndetësore", diskutimet ishin optimiste për sa i takon përmirësimit të shëndetësisë në vitin 2009. Por para se drejtuesit e shëndetësisë të përveshin mëngët, në fillim duhet të mendojnë për mënyrën se si do të "lajnë" borxhet e akumuluara prej vitesh nga spitalet e vendit.

Qeveria po punon për hartimin e një plani për mënyrën e trajtimit të borxheve të spitaleve, të mbartura në vite, duke i paraprirë kështu përfshirjes së tyre në skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor nga 1 janari i vitit 2009. "Borxhet e spitaleve, për shkak të tenderëve, janë të mëdha dhe të trashëguara ndër vite", tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, po hartohet një plan i Këshillit të Ministrave sesi do të trajtohen këto borxhe në vitin 2009 dhe vendimi do të merret këto ditë".

"Ne nuk mund t‘i mbajmë kurrsesi këto borxhe, sepse jemi institucion që blejmë shërbimin dhe bëhet fjalë që do t‘i mbartin spitalet, Ministria e Shëndetësisë, apo qeveria, problemi është që t‘i mbartin ato që i kanë shkaktuar dhe jo ato që po lindin sot", sqaroi drejtoresha e Kujdesit Shëndetësor.

Është ende në diskutim se si do të zgjidhet ky problem, nëse borxhi do t‘iu mbetet spitaleve apo do të jetë Ministria e Shëndetësisë që do ta shlyejë. Spitalet si struktura të reja që do të menaxhojnë vetë një pjesë të fondeve nuk është mirë të kenë këto borxhe të cilat llogariten të jenë në shuma të mëdha, dhe për të cilat spitalet nuk janë përgjegjëse.

Sakaq, kryetari i Komisionit të Shëndetësisë Tritan Shehu u shpreh se hapi që pritet të ndërmerret me 1 janar 2009 për shtrirjen e skemës së sigurimeve edhe në shërbimin spitalor është I domosdoshëm pasi duhet të shkohet drejt financimit të të gjithë sistemit nga skema e sigurimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›