E Shtunë, 31 Tetor 2026

BKUK themelon Qendrën e Trajnimit

Mundësia për të ecur drejt dijës, arsimimit dhe kulturës po rritet nga dita në ditë, ndonëse jo me hapa të shpejtë. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në mesditën e së enjtes u përurua Qendra e Trajnimit e BKUK-së. Projekt ky që nuk u themelua deri sot pavarësisht të mirave dhe mundësive që i sjell, mirëpo gjeti përkrahjen nga Pro Credit Bank.

“Veprimtaria e rrjetit të bibliotekave të Kosovës nga sot po fuqizohet me mbështetjen financiare të Pro Credit Bank në Prishtinë, e cila po kontribuon me këtë projekt mjaft të rëndësishëm në modernizimin e një shërbimi të veçantë drejt dijes, arsimimit dhe kulturës, pikërisht me themelimin e Qendrës së Trajnimit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës”, tha në fjalën përshëndetëse Sali Bashota, drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Sipas Bashotës, kjo Qendër do të jetë bartëse e zhvillimit të strategjisë së bibliotekave të Kosovës, duke përfshirë: bibliotekat publike, bibliotekat shkollore, bibliotekat e fakulteteve të Universitetit bibliotekat speciale etj.

“Në këtë drejtim, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës duke i zbatuar praktikat më të avancuara të standardeve ndërkombëtare, gjithsesi, do të shërbejë si qendër e studimeve të bibliotekarisë bashkëkohore dhe të shkencave të informacionit”, tha Bashota.

Trajnimi dhe arsimimi profesional i punonjësve të bibliotekave të Kosovës, në këtë rast, me funksionalizimin dhe modernizimin e kësaj Qendreje, pa dyshim, se do të jetë në shërbim të mësimit teorik dhe trajnimit praktik.

Në fund Bashota këtë themelim e përmblodhi me këto fjalë: “kjo është një ditë gëzimi për të gjithë punonjësit e bibliotekave të Kosovës”.

Zëvendësdrejtori gjeneral i kësaj banke, Florin Lila, këtë investim e rëndësi në investimet të cilat bëhen në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit.

“E konsiderojmë vetën si një kompani e cila është “qytetar” i këtij vendi dhe kemi si obligim që të kthejmë diçka mbrapa, kundrejt suksesit që ka në ofrimin e shërbimeve të veta”, tha Lila.

Sipas Lilës, në mënyrë zinxhirore kjo ndikon që të rritet kapaciteti i resurseve njerëzore në tregun e punës në Kosovë.

Në fund të këtij takimi, zëvendësdrejtori i BKUK-së, Tefik Mehmeti, në shenjë mirënjohje i dhuroi homologut të tij nga ProCredit Banka, Florin Lilës, një simbol të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ky projekt, i financuar nga Pro Credit Bank, ka kushtuar rreth 23 mijë euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›