E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simaku, homazh për Feim Ibrahimin

Muaji maj shënon një aktivitet të ngjeshur artistik për kompozitorin shqiptar Thoma Simaku. Krijimet e tij do të prezantohen jo vetëm brenda territorit anglez ku ai jeton e krijon, por edhe në festivale të ndryshme. Vetëm dy javët e para të muajit shënojnë tre premiera për Simakun. E para, e mbajtur në datën 2 maj në Universitetin e Minesotas, ishte një premierë amerikane kushtuar një tjetër kompozitori të njohur shqiptar të ndarë nga jeta, Feim Ibrahimit.

“Ed e subito sera” (Dhe vjen mbrëmja), është një krijim mbi poezinë e njohur të poetit sicilian që ka fituar çmimin “Nobel” Salvatore Quasimodo. Premiera është interpretuar nga violinçelisti Nickolai Kolarov shoqëruar në piano nga Jill Dawe në festivalin “Balcanicus”. I mbërritur në edicionin e gjashtë, në këtë festival prezantohen krijimet më të reja të muzikës së dhomës nga Ballkani. Pjesa më e madhe e pjesëve janë premiera të kompozuara nga kompozitorë të kombësive dhe stileve të ndryshme, shpesh të frymëzuar nga muzika folklorike e vendit të tyre, por që në fund të fundit shprehin shpirtin ballkanik.

“Kjo punë i kushtohet kujtimit të Feim Ibrahimit, një prej kompozitorëve më të shquar të Shqipërisë, një mik i ngushtë dhe koleg i imi, vdekja e parakohshme e të cilit në gusht të 1997-s erdhi si një goditje për mua. E marrë nga vëllimi “Terre Acque”, poezia “Ed e subito Sera”, është ndoshta më e famshmja nga poeti Salvatore Quasimodo. Edhe pse marrëdhëniet me këtë poemë ndoshta nuk janë përmbajtësore, titulli ka një ngjyrim simbolik të përshtatshëm. Nga ana tjetër, kjo zgjedhje është e justifikueshme nëse mendojmë se puna e fundit e Feim Ibrahimit ishte një kompozim mbi krijimet e Quasimodo-s, të cilin e realizoi pak para se të vdiste në Torino”, shprehet Simaku. Vetëm një ditë më pas, një tjetër premierë është mbajtur në Institutin Servante në Vjenë.

“Soliloquy IV”, kompozuar për klarinetë bas, ishte një premierë botërore interpretuar nga Carlos Galvez. Simaku bën të ditur se kjo vepër është pjesë e një cikli prej shtatë veprash për instrumente solo. “Është vështirë që ‘Soliloquy’ t’i gjesh një sinonim në shqip, por nuk është monolog. Në një mënyrë figurative mund të përshkruhet si një fjalim, ku autori i shpreh mendimet me zë, por pa ju drejtuar ndokujt në mënyrë specifike. Qëllimi kompozicional i kësaj kolane është që të eksplorojë potencialin ekspresiv dhe teknik të një sërë instrumentesh, që nga ato të harqeve e deri te perkusioni.

Që të gjitha janë vepra virtuoze deri në një pikë maksimale të mundshme të instrumentistit, por besoj që secila vepër flet me dialektin e vet instrumental”, ka shpjeguar Simaku, i cili një vit më parë u shpall si kompozitori i vitit në Angli. Premiera e radhës që do të mbahet më 14 maj në “Spring Festival” (Festivalin e pranverës) në Qendrën Kombëtare për muzikën e hershme në York, ka sërish një motiv shqiptar. Nuk i kushtohet një personaliteti, por është kompozuar mbi vargje shqiptare.

Simaku ka zgjedhur poezi nga cikli “Dyert e gjalla” të Visar Zhitit, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie. Pjesa e konceptuar për soprano dhe piano do të interpretohet nga Marja Liisa Kay dhe Mark Hutchinson. “Kjo poezi me të vërtetë që të mbërthen: në një hapësirë kaq të vogël ka një përqëndrim dhe intensitet të përsosur”, shprehet kompozitori, i cili vazhdimisht ka pohuar se e ka të pranishëm gjithnjë elementin shqiptar në krijimet e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›