BM – Rubio: SHBA do të ketë sot kontakte me Rusinë për çështjen ukrainase

LONDËR, 12 mars /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara do të kenë sot kontakte me Rusinë, pas bisedimeve me Ukrainën për një paqe të mundshme, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Ai tha se Uashingtoni do t’ia paraqesë propozimet drejtpërdrejt Moskës, duke shtuar se “topi është me të vërtetë në fushën e tyre” dhe refuzimi i planit “do t’i bëjë të qarta qëllimet e tyre”.
Kievi thotë se është gati të pranojë planet për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor pas bisedimeve SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite, të cilat u përshëndetën nga shumë njerëz si një përparim pas grindjes së presidentit të SHBA Donald Trump në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Duke folur me gazetarët në Irlandë përpara se të kthehej në SHBA, Rubio tha se “kjo është ajo që ne duam të dimë, nëse ata janë të përgatitur ta bëjnë këtë pa kushte. Ne do të kemi kontakt me ta sot”.
“Tashmë ka pasur kontakte në nivele të ndryshme me homologë, anëtarë të ndryshëm të administratës dhe kjo do të vazhdojë… Ne do t’ua sjellim drejtpërdrejt”, tha ai.
Ai shtoi se “nëse përgjigjja e tyre është ‘po’, atëherë ne e dimë se kemi bërë përparim të vërtetë dhe ka një shans real për paqe. Nëse përgjigjja e tyre është ‘jo’, do të ishte shumë për të ardhur keq dhe do t’i bënte të qarta qëllimet e tyre”, tha ai.
Zelensky tha se bisedimet e së martës në Xhedah kishin qenë “shumë pozitive” dhe mbuluan “të gjitha temat e rëndësishme dhe të ndjeshme”./ a.jor.