E Martë, 3 Nëntor 2026

BM – Starmer: Të gjitha opsionet në tryezë për t’iu përgjigjur tarifave të Trump

LONDËR, 12 mars /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të mbajë të hapur opsionin e masave hakmarrëse pasi presidenti i SHBA Donald Trump goditi importet e çelikut dhe aluminit me tarifa 25%.

Vendet e punës mund të jenë në rrezik në industrinë britanike të çelikut, pasi Britania e Madhe nuk arriti të sigurojë një përjashtim nga tarifat globale të Trump për importet e metaleve.

Bashkimi Evropian u përgjigj duke shpallur kundërmasa tregtare, duke goditur mallrat amerikane me tarifa hakmarrëse, por kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar i rezistoi thirrjeve që Mbretëria e Bashkuar të përgjigjej menjëherë.

“Jam i zhgënjyer që shoh tarifat globale në lidhje me çelikun dhe aluminin. Ne do të kemi një qasje pragmatike. Mbretëria e Bashkuar po negocion një marrëveshje ekonomike që mbulon dhe do të përfshijë tarifat nëse kemi sukses”, u tha ai deputetëve në parlament.
“Por, ne do t’i mbajmë të gjitha opsionet në tryezë”, theksoi ai.

Komentet e Starmer erdhën si përgjigje ndaj liderit liberal-demokrat, Ed Davey, i cili bëri thirrje që Mbretëria e Bashkuar të jetë më e ashpër me presidentin amerikan, ashtu si evropianët dhe si kanadezët.

Qeveria tha se rreth 5% e eksporteve të çelikut në Mbretërinë e Bashkuar dhe 6% e eksporteve të aluminit sipas vëllimit shkojnë në SHBA, megjithëse organet tregtare për të dyja industritë pretendojnë se kjo është një nënvlerësim i shkallës së dërgesave përtej Atlantikut.

Masa është goditja e fundit për një industri çeliku e cila ka parë mijëra humbje pune në vitet e fundit për shkak të çështjeve që përfshijnë konkurrencën globale, kostot e larta të energjisë dhe kalimin në teknologji më të pastra./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›