BP shtyn fillimin e testit për të vënë nën kontrol derdhjen e naftës
Në përpjekjet e kompanisë gjigande British Petrolium, për të vënë nën kontroll derdhjen e naftës në Gjirin e Meksikës, nëpërmjet një gypi thithës, kanë dale në pah probleme të paparashikuara. Një provë dyditore me të cilën kompania donte të provonte nëse mund të ndalojë derdhjen e naftës disatonëshe në det të hapur, është shtyrë për më vonë. Prova pritej të fillonte ditën e martë. Arsyeja e vonesës ka të bëjë me kërkesat e të ngarkuarit të qeverisë amerikane për luftimin e katrastrofës, Thad Allen, për zhvillimin e analizave paraprake. Me gypin, i cili do të vendosej në vrimën e shpimit, do të ndalohej derdhja e pakontrolluar e naftës në det, kur kanë kaluar tre muaj pas përmbytjes së platformës "Deepwater Horizon". Por ndërkaq ekzistojnë dyshime nëse konstruksioni është në gjendje të përballojë presionin e madh, që krijohet nga derdhja e naftës në thellësinë 1.500 metra. Një ditë më parë, Gjiganti energjetik British Petrolium vendosi një kapak të ri në gypin e dëmtuar të naftës në Gjirin e Meksikës. Por kompania nuk ka dhënë informacione të menjëhershme nëse hapi i ri ka ndaluar rrjedhjen e naftës. Që nga dara 22 prill, kanë kaluar afro tre muaj nga incidenti që shkaktoi rrjedhjen, të cilën zyrtarët amerikanë, përfshirë dhe vetë presidentin Obama, e kanë konsideruar si katastrofën më të madhe mjedisore në historinë e Shteteve të Bashkuara.