Kriza, 120 milionë USD të ardhura më pak
Fabiola Çela
Bien të ardhurat në buxhetin e shtetit. Shkak është kriza globale. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë 6-mujorit të parë të vitit janë mbledhur 120 milionë dollarë të ardhura më pak se plani i bërë në fillim të vitit.
Të ardhurat
Kriza ekonomike ka tkurrur ndjeshëm të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ndryshe nga sa ishte parashikuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave, në fillim të vitit si pasojë e krizës, të ardhurat nga taksat kryesore nuk kanë qenë në nivelet e parashikuara nga ata. Sipas të dhënave më të fundit nga financat, tatimi mbi vlerën e shtuar TVSH-ë që është një prej taksave më kryesore në arkën e shtetit, të ardhurat nga kjo taksë janë realizuar në masën 94.41 për qind. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me taksat e tjera, si tatimi mbi fitimin, e cila është realizuar në masën 86,31 për qind, akcizat 72.59 për qind. Në ndryshim nga to, taksa e tatimit mbi të ardhurat personale ka qenë në rritje, të ardhurat nga kjo taksë janë realizuar në masë 128.55 për qind.
Shpenzimet
Për sa i përket shpenzimeve, të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se totali i shpenzimeve gjatë 6-mujorit të parë të vitit është realizuar në masën 97,04 për qind. Gjatë këtyre muajve, qeveria duket se ka shpenzuar më pak para se plani i kryer në fillim të vitit për shpenzimeve operative dhe mirëmbajtje, realizimi i të cilave është në masën 87. 17 për qind. Por për sa i përket shpenzimeve kapitale, gjatë 6-mujorit të parë të vitit, qeveria nuk i ka kursyer paratë. Të dhënat tregojnë se shpenzimet kapitale jo vetëm që kanë arritur nivelin e planit të bërë në fillim të vitit, por madje e kanë tejkaluar atë. Shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 105.69 për qind. Pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale janë destinuar për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Duke qenë se 6-mujori i parë i vitit përkoi edhe me çeljen e fushatës zgjedhore, qeveria rriti ndjeshëm shpenzimet për përfundimin sa më parë të projekteve infrastrukturore në vend. Por rritja e shpenzimeve kapitale, në një kohë kur të ardhurat kanë qenë në rënie, ka ndikuar në rritjen e deficitit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, financimi i deficitit për 6-mujorin e parë të vitit ka arritur në nivelin e 122.30 për qind, shifër kjo goxha e lartë.
Kriza
Pavarësisht deklaratave të bëra nga zyrtarë të lartë të qeverisë, kriza globale ekonomike ka dhënë efektet e saj negative edhe në ekonominë vendase. Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Treguesit fiskale (në milionë lekë)
Plan 6-mujor Diferenca % e
plan/fakt realizimit
Totali i të ardhurave
155,896 -11,125 92.86%
Të ardhurat tatimore
143,009 -9,892 93.08%
Nga tatimet dhe doganat
107,191 -6,472 93.96%
Tatimi mbi vlerën e shtuar
55,211 -3,085 94.41%
Tatimi mbi fitimin
10,575 -1,148 86.31%
Tatimi mbi të ardhurat personale
10,657 3,043 128.55%
Akcizat
19,831 -5,435 72.59%
Të ardhurat nga pushteti vendor
9,541 -2,656 72.17%
Totali i shpenzimeve
181,701 -5,375 97.04%
Shpenzime kapitale
44,129 2,510 105.69%
Financimi i deficitit
25,805 5,754 122.30%