BQE hedh në treg 500 miliardë euro
Banka Qendrore Europiane hodhi javën që shkoi gati 500 miliardë euro në sektorin bankar europian. 523 banka iu drejtuan ofertës së bankës emetuese evropiane, për të siguruar kredi trevjeçare me normë të ulët interesi. Në luftën kundër kërcënimit nga një ngushticë e re kredish, Banka Qendrore Europiane (ECB) u ka ofruar bankave në eurozonë likuiditet me një injeksionin të pashembullt parash prej rreth 500 miliardë eurosh. Më shumë se 520 institute kredie kanë kërkuar të përfitojnë nga linja e kredisë me një afat trevjeçar dhe normën e interesit të ECB-së, bëri të ditur vetë banka të mërkurën (21.12.). Kërkesa shumë e madhe prej rreth 489 miliardë eurosh habiti edhe vetë ekspertët, të cilët llogarisnin me 310 miliardë euro. Michael Kemmer, drejtuesi i shoqatës së bankave gjermane, mendon se ky aksion do të ndihmojë në shtimin e besimit në sektorin bankar: "Bankat i kanë dhënë pak para njëra-tjetrës, i gjithë tregu ishte shumë i tensionuar. Përmes masës së Bankës Qendrore Europiane, për t'u vënë bankave në dispozicion një linjë kredie me afat të gjatë dhe normë të butë interesi, do të rritet sërish besimi." Edhe ekonomistë të tjerë nga sektori bankar u shprehën pozitivisht. Eksperti i bankës Commerzbank Michael Schubert vlerësoi pozitivisht që një numër kaq i madh bankash e shfrytëzuan mundësinë e rifinancimit afatgjatë.