Te ardhurat doganore rritje nga TVSH me 74

Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti kanë arritur vlerën e 43 miliardë lekëve me një rritje me 3.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Të dhënat janë bërë me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Një vit më parë të ardhurat nga TVSH e mallrave të importit shënuan një rritje me 5%. Të Ardhurat nga TVSH përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave doganore gjatë kësaj periudhe me 74% të totalit. Në periudhën janar-qershor të këtij viti, të ardhurat doganore rezultonin në 58.255 miliardë lekë, ose 3.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Por, pavarësisht kësaj, ekspertët e financave vlerësojnë se të ardhurat ishin relativisht më të ulëta nga ç’parashikohej. Gjithsesi të ardhurat janë rritur me ritme pak më të larta se vlera e importit. Në gjysmën e parë të vitit importi i mallrave u rrit në vlerë vetëm 2%.