Trafiku i porteve italiane drejt Shqiperise e Greqise

Efektet e krizës janë ndjerë si kudo edhe në sektorin e transportit detar. Por ndryshe nga portet e tjera italiane, ai i Brindisit ka shkuar në kundërtendencë me krizën. Në gjysmën e parë të këtij viti të dhënat nga autoritetet portuale të Brindisit referuar trafikut me Shqipërinë dhe Greqinë tregojnë se ka pasur përmirësime krahasuar me një vit më parë në këtë periudhë, kryesisht me lëvizjet drejt porteve shqiptare. Në total numri i pasagjerëve që kanë qarkulluar nga ky port deri në fund të qershorit ka rezultuar në rritje me gati 5%. Gjithashtu edhe numri i automjeteve është rritur me mbi 7%. Në detaj sipas raportit nga Porti i Brindisit, numri i pasagjerëve drejt Shqipërisë është rritur me 1,35% ndërsa trafiku drejt Greqisë është ulur me 1,74%. Po kështu edhe volumi total i mallrave ka shënuar një rritje me mbi 4%. Vihet re se gjatë periudhës janar –qershor nga porti detar i Brindisit është regjistruar një ulje ekskluzivisht mbi numrin e pasagjerëve dhe automjeteve të drejtuara për në Greqi me 38% kundrejt një shtimi thelbësor të pasagjerëve drejt Shqipërisë. Nga ky port të dhënat rezultojnë pozitivisht referuar trafikut me portet shqiptare edhe për numrin e autobusëve në rritje për këtë vit me 7,47%, ndërsa me Greqinë të dhënat janë sërish negative. Për sa u përket të dhënave nga porti i Ankonës trafiku i pasagjerëve ka shfaqur një ecuri negative kryesisht në lidhje me navigimin drejt Greqisë, në rënie me gati 40% në gjysmën e parë të vitit. Ndërkohë që edhe për portin e qytetit jugor italian të Barit trafiku është ulur krahasuar me vitin e kaluar si drejt Greqisë ashtu edhe me Shqipërinë. Nga ky port shfaqen negative edhe të dhënat me lëvizjet drejt Kroacisë dhe Malit të Zi, kryesisht përsa i përket trafikut të pasagjerëve.