E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimet e pacientëve nga shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore



Shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore do të shërbejë për rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor në të gjitha spitalet e vendit, nga e cila do të përfitojnë edhe pacientët. Pacientët do të marrin shërbim më cilësor dhe do të kenë mundësin të përfitojnë më tepër shërbime falas. Bëhet fjalë për ata pacientë që janë të siguruar. Shtrirja e skemës dhe autonomia e spitaleve presupozohet të sjellë më tepër të ardhura për qendrat spitalore, ku mendohet se nuk do të mungojnë përkushtimi i mjekëve dhe pajisjet për kryerjen e vizitave. Skema e re e sigurimeve shëndetësore u bë e njohur pak kohë më parë nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila deklaroi se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit ai që do të lidhë kontratë me stafin. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore. Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›