E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhori Kule: “Studimet e pjesshme, regjistrimi deri në janar”



Regjistrimi i kandidatëve fitues për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme do të mbyllet në muajin janar. Lajmi bëhet i ditur nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili sqaron se procesi i regjistrimit të fituesve për këto studime do të jetë i hapur deri në ditët e para të vitit të ardhshëm. Vendimi për shtyrjen e afatit të regjistrimit të kandidatëve fitues për studimet e pjesshme është marrë për shkak të verifikimit që po u bëhet dëftesave të tyre. Aktualisht, dëftesa e cilitdo kandidat ndodhet në fakultetin ku ai është regjistruar. Lidhur me këtë proces verifikues, kreu i Universitetit të Tiranës (UT) saktëson se verifikimi nuk është mbyllur dhe se do të vazhdojë derisa të shqyrtohen të gjitha dëftesat. “Po vazhdon verifikimi. I kemi çuar Ministrisë së Arsimit listën e kandidatëve të regjistruar. Sipas udhëzimit të dërguar nga MASH-i, regjistrimi duhej të mbyllej ditën e sotme (dje)”, - shprehet rektori Kule. Pas mbylljes së procesit të verifikimit të dëftesave do të shpallen përfundimisht kandidatët, që do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme gjatë këtij viti akademik. Ajo që dihet tashmë është fakti se fituesit, që kanë paraqitur në dosjen e dokumenteve të tyre për regjistrim dublikatë të dëftesës origjinale, dhe dëftesën origjinale e kanë në fakultete, nuk do të lejohen që të ndjekin studimet e pjesshme. Sipas Rektoratit të UT-së, vendimi për të mos i regjistruar studentët me dublikatë është marrë për të evituar studimet paralele të studentëve. Ndërsa përsa u përket kuotave të tjera shtesë, të kërkuara nga disa fakultete të UT-së për studimet e pjesshme, drejtuesit e këtyre fakulteteve bëjnë të ditur se janë në pritje të përgjigjes së Ministrisë së Arsimit.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›