E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Bankat thyen rregullat

Masat e sigurisë u shkelën në vitin e “krizës” 2009

Mungesa e likuiditetit, si pasojë e krizës financiare, bëri që bankat në Shqipëri të kalonin një periudhë të vështirë gjatë 2009-s. Si pasojë e situatës stresuese, Banka e Shqipërisë nisi grupet e inspektimit për të monitoruar nga afër procesin e vështirë që po kalonin bankat, ndërsa urdhëroi ngritjen e audituesve për të mësuar shkaqet e përkeqësimit të cilësisë së kredisë, në raportin vjetor të mbikëqyrjes, BSH-ja pranon se bankat në vend patën mangësi në zbatimin e disa rregulloreve, duke vënë në vështirësi sistemin financiar. Edhe pse në vit krize, bankat nuk u kanë qëndruar strikt rregullave të vendosur nga BSH-ja, një pjesë e të cilave lidheshin pikërisht me situatën e vështirë financiare.

“Mangësi janë evidentuar në drejtim të administrimit të rrezikut të kredisë, të ushtrimit të funksioneve të kontrollit të brendshëm, të kontrollit të rrezikut operacional, të përputhshmërisë ndaj treguesit bazë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha, të transparencës me klientin etj.”, thuhet në raport.

Nga mbikëqyrja në vend janë evidentuar problematika që lidhen kryesisht me menaxhimin e rreziqeve. “Dobësi janë shfaqur edhe në sistemet e brendshme të kontrollit, në drejtim të thyerjes së limiteve të aprovimit të kredive dhe monitorimit në kohë të kredive problematike”, thekson Banka Qendrore. Gjithashtu, është kërkuar nga BSH-ja që strukturat e brendshme të kontrollit, si Audituesi i Brendshëm ashtu edhe Komiteti i Kontrollit, të orientohen me tepër në kontrollet e kryera drejt aktiviteteve më me rrezik të bankës. Nga konstatimet e auditit, rezulton se janë evidentuar edhe mangësi në aftësinë e sistemeve për të administruar të dhënat. “Në përgjithësi është arritur në përfundimin se ka nevoja reale për sisteme informatike të reja apo module të ndryshme për të mbështetur aktivitetet kryesore bankare”, deklaron banka.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›